Sulmi problemi i madh i Tiranës, ja dëshirat e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 20:11

Sulmi problemi i madh i Tiranës, ja dëshirat e klubit

Sulmi mbetet problemi më i madh i merkatos së Tiranës. Edhe pse kanë investuar jo pak para në këtë pozicion me afrimin e Blazhevskit apo edhe Hasanit, që duhet thënë nuk janë qendërsulmues, sërish Ze Maria nuk është i bindur. Afrimi më i fundit në këtë repart, Ugo Karabeli, nuk u mbushi mendjen dhe u largua, pa pasur mundësi të firmosë me bardheblutë, duke hedhur poshtë planet e trajnerit Ze Maria, që e mendonte një golashënues.

Tirana

DËSHIRAT
– Janë të shumta dëshirat e drejtuesve të Tiranës për repartin e sulmit. Ndonëse nuk ka ndonjë gjë konkrete, Sebino Plaku meqë mund të konsiderohet i lirë, mund t’u bënte shumë punë bardhebluve në qendër të sulmit. Sezonin që shkoi, Sebino refuzoi bardheblutë, sepse luanin në Kategorinë e Parë, por këtë sezon Plaku me sa kuptohet i ka dhënë fjalën Kamzës, për të qenë sërish në këtë ekip, ndonëse Tirana e ka fiksim.

Nga ana e bardhebluve po punohet me ngulm për të afruar një qendërsulmues. Janë të shumta alternativat, por tregu afrikan dhe ai maqedonas mbeten në krye. Flitet se po diskutohet një sulmues nigerian, por akoma nuk ka asgjë zyrtare. Fakt është se Tiranës medoemos i duhet një qendërsulmues për sezonin e ri, që të jetë e plotë në Superiore. Majkëll Ngoja ndonëse ka rritur ritmin, kthehet në tetor dhe ky është problemi më i madh për bardheblutë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"