Sulmi i Vllaznisë në krizë, “snajperët” nuk po gjejnë shënjestrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 20:15

Sulmi i Vllaznisë në krizë, “snajperët” nuk po gjejnë shënjestrën

Vllaznia ka disa takime që nuk shfaqet si ajo e mbylljes së fazës së tretë të kampionatit. Skuadra në pesë takimet e fazës së katërt, si dhe në takimin e parë gjysmëfinal të Kupës, nuk ka mundur që të gjejë asnjë fitore.

balaj

Në pesë përballjet e fazës së katërt shkodranët njohin 3 barazime dhe 2 humbje. Për më tepër, në këto takime kanë shënuar vetëm 2 gola. Po të përfshihet edhe përballja e parë gjysmëfinale e Kupës, kuqeblutë i kanë barazuar shifrat e humbjeve me ato të barazimeve. Por ajo që duket se shqetëson më shumë janë golat e shënuar.

Vllaznisë, në një takim të vetëm si ajo që do të luajë nesër ndaj Egnatias, do t’i duhet që në rastin më të mirë të shënojë dy gola që të jetë në finale. Në këto momente Vllaznia po vuan gjetjen e golit nga dyshja e sulmit, që deri më tani është më e mira e këtij sezoni. Balaj, kapiteni i Vllaznisë dhe goleadori më i mirë i sezonit, ka katër takime që nuk shënon.

Ndërsa autori i 8 golave në këtë sezon me fanellën kuqeblu, Ildi Gruda ka afro 11 takime, duke përfshirë edhe ato të Kupës, që nuk shënon. Dyshja tjetër, Malaj dhe Çoba janë shumë larg pritshmërive. Nisur nga kjo, mbetet që të besohet se sulmuesit të kthehen te golat dhe skuadra të bëjë në tërësi më të mirën për të shkuar drejt finales së Kupës.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"