Suksesi i Kombëtares U-17, Armand Duka pret lojtarët: Ju duhet të çoni Shqipërinë në Botëror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2022 | 12:08

Suksesi i Kombëtares U-17, Armand Duka pret lojtarët: Ju duhet të çoni Shqipërinë në Botëror

Kombëtarja shqiptare U-17 e futbollit arriti një kualifikim historik për në “Elite Round” të kualifikueseve të Europianit, duke qenë pjesë e të tretave më të mira.

kombetarja u17 duka

Pas kthimit nga Kroacia, kuqezinjtë u takuan edhe nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili i priti në ambientet e shtëpisë së futbollit.

Përveç përgëzimeve, ai u bëri apel lojtarëve që të punojnë fort, në mënyrë që në të ardhmen do të mund të çojnë Shqipërinë në finalet e një Botërori.

“Doja t’ju falënderoja për atë arritje të bukur në Europian, për t’ju inkurajuar që të vazhdoni kështu dhe e treta doja që ju të njiheshit me kompleksin e Shtëpisë së Futbollit, ku do të vazhdoni të stërviteni me synimin për ta çuar Shqipërinë në Botëror. Nuk është thjesht qëllimi për të kaluar në Elite Round, por duhet të rriteni në këtë kompleks, në fushat e tjera që po ndërtohen apo nëpërmjet të gjitha projekteve që ne po bëjmë, sepse ju jeni e ardhmja dhe ju duhet ta çoni Shqipërinë në Botëror. Është shumë e rëndësishme të luash futboll, e rëndësishme është të jesh skuadër, për të qenë të bashkuar si grup dhe për të krijuar një atmosferë pozitive. Si ua thashë para sfidës me Uellsin, ua them edhe tani, jam shumë i lumtur për këtë arritje, sepse nëpërmjet fitoreve dhe kualifikimeve ju rriteni si skuadër, por objektivi ynë kryesor është që ju të rriteni individualisht dhe si skuadër që t’i shërbeni ekipit kombëtar, të bëhen profesionistë të zotë, për veten, për familjet tuaja dhe për fanellën kuqezi që mbani veshur”, tha Armand Duka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"