Kola skanon Agustinin: Ja kur do bëja tifo për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 23:52

Kola skanon Agustinin: Ja kur do bëja tifo për Partizanin

Nga BUJAR RAMA

Kështu flet Agustin Kola… Nuk është përshtatësi e librit “Kështu foli Zarathustra” të Niçes, por kështu flet Agustin Kola: grintoz, i drejtpërdrejtë, i gatshëm në çdo kohë për çdo intervistë, pa maska e pa dorashka, ashtu siç e mendon dhe ashtu siç e ndien, pa e vrarë mendjen asfare se herë-herë e diku, mund të shkaktojë prekje dhe qejfmbetje me ndonjë mik të tij.

Agustin Kola

Por, pa e çarë kokën për debatin dhe polemikat që mund të ngjallë paskëtaj, as këtu Agustin Kola nuk bën kompromis: “Nuk kam miq prej kartoni unë. Debati sportiv nuk ma cenon dot kurrë miqësinë time. Miqtë i kam të shenjtë, edhe pse në debatet sportive mund të ndajmë qëndrime të ndryshme”, e përdor si devizë legjenda e gjallë e futbollit shqiptar, Agustin Kola.

Dhe ka të drejtë, sepse “xanxari” Agustin, sportisti dhe njeriu i drejtpërdrejtë, njihet dhe është pranuar kësilloj nga të gjithë miqtë e tij, edhe me ata që kanë qenë kundërshtarë të betuar në fushën e blertë me numrin 11 të 17 Nëntorit (Tirana sot).

Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, po sjellim një rrëfim ndryshe të Agustin Kolës, shoqëruar edhe me vlerësime ndaj tij prej figurave të shquara të futbollit kombëtar gjatë viteve ’80- ’90 të shekullit të kaluar, bashkëkohës të Kolës, të cilët krijojnë një portret më të plotë për këtë emër të madh të futbollit tonë.

Cilët janë miqtë më të mirë të Agustin Kolës në botën sportive dhe përtej saj?

Janë të shumtë. Miq, shokë, dashamirës, simpatizantë… Bota e sportit na e ka dhënë këtë privilegj që të na duan, të na përshëndesin e të na respektojnë, sikurse edhe ne ndihemi mirë dhe përpiqemi të bëjmë sado minimalen e mundshme: respektin për dashamirësit tanë të panjohur, të cilët na përshëndesin në situata të ndryshme. Sa u përket miqve më të mirë, ata janë të shenjtë dhe të shtrenjtë për Agustin Kolën janë dhe mbeten pjesë e jetës sime. Në aspektin sportiv, përgjithësisht kam pasur miq më të mëdhenj se vetja.

kola agustin

E dini cilët? Janë legjendat e futbollit shqiptar, duke nisur që nga Lir Përnaska, me të cilin kam qenë tifoz personal, nga i papërsëritshmi Safet Berisha, Shyq Ballgjini, Mujo Targaj e gjer te Ben Minga, bashkëmoshatari dhe miku im më i ngushtë (përlotet)… Unë e kam dashur shumë futbollin dhe kam pasur lidhje të ngushta sportive e miqësore edhe me trajnerin legjendar Loro Boriçi, me Zyber Konçin, që me Shkëndijën e asokohe ktheu futbollin klasik në futboll total, si Ajaksi i viteve ’70, teksa në atë kohë, kur shkova unë te Shkëndija e dytë, kam pasur bashkëlojtarë të shquar, si: Milto Gurma, Jani Kaçi, Lir Luarasi, Dash Bajaziti etj. dhe unë ndihem krenar që kam luajtur me ta, pasi më thirri trajneri Shyqyri Rreli, duke më aktivizuar si mbrojtës të majtë.

Çfarë është Dukagjini për Agustin Kolën?

Dukagjini është origjina ime e hershme, gjyshi im ka lindur në 1927 dhe vajza ime e vogël i bie të jetë brezi i katërt. Por, Dukagjini, ata malësorët e palëkundur asnjëherë, janë origjina ime, janë “rrënjë për degët” dhe unë nuk e kam mohuar dhe as do ta mohoj kurrë, ndërsa si nip, origjinën e nënës dhe dajat i kam nga Gurakuqi i Shkodrës.

kola

Modeli i futbollistit për Agustin Kolën, në Shqipëri dhe jashtë saj…

I vogël, kam qenë tifoz pas Ilir Përnaskës, sepse ka qenë i jashtëzakonshëm në atë që bënte në fushë. Në arenën ndërkombëtare, unë simpatizoj futbollin italian dhe, duke qenë se dikur kam luajtur mbrojtës i majtë, kam preferencë të veçantë për Marko Tardelin, i cili ka shënuar një gol të veçantë në finalen e Botërorit në Spanjë në 1982, kur Italia fitonte 3-1 ndaj RFGJ-së (Gjermania sot).

download (1)

Emri juaj a ka të bëjë me Shën Agostinin?

Di që unë kam emrin e gjyshit tim nga ana e nënës, ai e ka pasur Agustin. Nga ana fetare, unë jam njeri që mbaj edhe Bibël, edhe Kuran në shtëpi, por nuk shkoj as te prifti dhe as te hoxha, as në kishë e as në xhami. Jam njeri i poshtër, supernjeri i poshtër, por unë besoj te njerëzit dhe në Zot, pa ndarje fesh, pasi edhe Kurban Bajramin, edhe Pashkët i respektoj, si ajo kënga e bukur: “Ne festat fetare/ i gëzonim bashkë/ një dele Bajrami/ një dele për Pashkë”. Dhe Zoti është një, ai që na mban të gjithëve larg mëkateve dhe gjynaheve.

17 Nëntori, Tirana apo Tirona, çfarë i ngjit më tepër Agustin Kolës?

Unë e kam nisur që i vogël te 17 Nëntori, ku më spikati Bert Veria dhe më kërkoi te Tirana, emër që lidhej me 17 Nëntorin. Çfarë më ngjit më tepër mua? Fiksojeni fort: Agustin Kola është si puna e atij qenit: atje ku ha bukë, bën hyzmet. Pra, absolutisht që 17 Nëntori ka shijen e plotë tek unë, sepse atë emër kemi pasur dhe atë skuadër kam përfaqësuar.

Sikur të ndeshej 17 Nëntori juaj me Tiranën sot, në moshën reale të futbollistëve, si do ta parashikonit një përballje të tillë?

Atëherë luanim me shpirt, me zemër, me pasion; sot, nuk kontestoj asnjë, por kampionati i sotshëm i Superligës është shumë larg atij niveli që ne kemi pasur. Nuk e them pse kam qenë pjesë e asaj kohe, jo, absolutisht, por kam bindjen që këtë konkluzion e nxjerrin të gjithë, edhe ata që nuk kanë qenë pjesë direkte e këtij sporti në atë kohë apo dhe në këtë kohë sot.

Tirana e sotme ka marrë titullin kampion dhe ka një skuadër të mirë, por e ka fituar me shumë vështirësi dhe pas kaq vitesh, kjo edhe për shkak të konkurrencës nga skuadra të tjera, ndërsa atëherë ne nuk e diskutonim trofeun dhe as që bëhej fjalë të rrëzoheshim në një kategori më poshtë!

tirana-e-viteve-1980

Sot futbolli ka evoluuar, ka të tjera kushte, mjedise më komode, të tjera mundësi stërvitjeje, trajnimi e kështu me radhë, por, gjithsesi, nëse këmbëngulni në pyetjen tuaj, po ju them se përballë Tiranës do të fitonte 17 Nëntori, sepse ishim më profesionistë, jepnim shpirtin në fushë dhe luanim vetëm për fanellën dhe për një qëllim: fitoren.

Tirana kampione në 100-vjetorin e themelimit të klubit. Si e vlerëson Agustin Kola këtë titull?

Ka qenë i merituar, por jo i lehtë. Qysh kur e mori drejtimin Egbo, unë kam thënë që Tirana do ta fitonte kampionatin. Pse e kam thënë? Sepse Egbo u rrit te ne, e njeh mentalitetin, është bardheblu edhe ai. Unë e kam njohur qysh kur luante, kur unë isha trajner apo dhe zëvendëstrajner i Tiranës. Ai ka pasur zëra kundër, ndërsa unë kam besuar tek Egbo, ka merita dhe koha më dha të drejtë. Unë jam kundër racizmit, kundër çdo qëndrimi antinjerëzor e antiprofesional. Egbo meriton fjalët më të mira, po ashtu edhe presidenti Refik Halili, që i besoi këtij trajneri.

Agustin-Kola

Meqë jemi te Halili, them me bindje që ai ka sakrifikuar edhe nga buxheti i familjes së tij për skuadrën dhe nuk është përlyer kurrë me pazare. Tirana mund t’i ketë bërë ndere ndonjë skuadre për miqësi dhe bamirësi, por jo për lekë. Nuk kam ndonjë interes për ta thënë këtë gjë, sepse mua më mbajnë krahët dhe këmbët e mia, por Halili dhe Egbo kanë meritë të madhe për këtë titull.

Ju gjithmonë, në intervistat tuaja, jeni i drejtpërdrejtë, troç, pa dorashka… Keni menduar ndonjëherë se kjo mënyrë të shprehuri jo rrallë mund të lëndojë dhe të krijojë qejfmbetje me miq tuaj të sferës së sportit?

Keni shumë të drejtë dhe ma bëtë pyetjen tamam. Unë jam njeri që kënaqem edhe kur hipi në autobus dhe, nuk është problemi i 40-lekëshit të biletës, por fatorinoja shprehet i impresionuar kur më njeh që unë jam Agustin Kola. E, një rast i tillë, edhe pse jo fort i këndshëm, më ka ndodhur edhe me maskat më 1997-ën, që jo vetëm nuk më grabitën, por më dhanë lekë me detyrim nga “djersa” e tyre, duke më përqafuar, pasi më njohën…

Nuk dua të vazhdoj më, se mos tingëllon si: “A doni më për Belulin?”, por nuk e kam vetëm për vete. Futbollistët cilësorë të brezit tim kanë qenë ikona edhe pas përfundimit të aktivitetit në fushë, përballë çdo situate dhe përballë çdo grupimi social e shoqëror. Dhe kënaqësia ime më e madhe ka qenë që, kudo ku kam shkuar: në Vlorë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Gjirokastër, Korçë, Berat etj., më kanë respektuar në çdo kohë, kur luaja në fushë, por edhe kur e kisha lënë futbollin.

Sa i përket pyetjes nëse mund të kem lënduar ndonjë mik timin për faktin se flas hapur dhe troç, nuk e përjashtoj mundësinë, ama, unë, Agustin Kola, flas dhe them me shpirt atë që kam parë dhe kam përjetuar gjatë gjithë kohës, as shtoj dhe as heq asgjë nga ajo qëështë pjesë e të gjithëve, realen e çdo kohe.

agustin-kola-te-konica

Mbase dikush mendon se nuk është pozitive kjo gjë, por ja që ky jam unë. Deklaratave që kam bërë, me temat dhe debatet sportive të së shkuarës, u qëndroj gjer në fund! Ama, po ju them sërish që, me lojtarët e Partizanit, të Dinamos dhe çdo kundërshtar tjetër, ishim “armiq” të çmendur në fushë, por miq të mirë jashtë saj. Futbolli nuk na ka ndarë dhe as na ndan dot kurrë nga miqësia jonë, as loja në fushë dhe as debatet sot apo nesër.

Në debatin mes Tiranës dhe Partizanit për titujt kampionë, ju jeni shprehur se është favorizuar Partizani. Kundërpyetja jonë do të ishte: Meqë ju jeni i drejtpërdrejtë, a mund të na thoni se ku ka qenë i favorizuar 17 Nëntori i asaj kohe? Qoftë edhe në faktin se në Kombëtaren e viteve ’80-’90, gjithmonë thuajse, do të kishte më shumë lojtarë nga 17 Nëntori…

Unë kam folur në pikën që janë shprehur se Partizani ka qenë i persekutuar dhe 17 Nëntori ka qenë i favorizuar. Unë nuk mendoj se ka qenë e favorizuar Tirana, në asnjë rast. Për titujt kampionë që pretendonin partizanasit, është e konsumuar, unë jam shprehur dhe nuk dua që t’i kthehemi më, por ju po më ngacmoni për përbërjen e Kombëtares në vitet ’80-’90, që kishte më shumë lojtarë të 17 Nëntorit.

Po, është e vërtetë, sepse 17 Nëntori dominonte kampionatin shqiptar në ato vite dhe logjika të çon që skuadra më e suksesshme do të ketë më shumë futbollistë në Përfaqësuese. E njëjta gjë ndodhi dhe me Partizanin më 1987 apo dhe me Flamurtarin kur pati sukses në Kupat e Europës në ato vite.

Cili është futbollisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave sipas Kolës?

Vallahi, ka shumë, por Panajot Pano mbetet “perla” e Shqipërisë.

agustin-kola-dhe-ilir-meta

Çfarë nuk ju pëlqen sot në futbollin shqiptar?

Futbollit shqiptar sot i mungon profesionalizmi, e them sërish me të madhe. Privatizimi i klubeve do të sillte edhe vetë profesionalizmin e munguar, mendoj unë. Stërvitje vetëm 2 orë në ditë?! Kaq… Dikur i bënin ekipet amatore të kooperativave bujqësore! Sot ka më shumë marketing, fasadë dhe shou, sesa cilësi.

Cili ka qenë 17 Nëntori më i mirë, sipas jush?

Unë po flas për Tiranën time dhe them se pa diskutim, skuadra më e mirë ka qenë ajo e viteve ’80-’90.

Pas Tiranës, për cilën skuadër tjetër do të bënit tifozllëk në Shqipëri?

Për mua, kampionati e ka bukurinë në Tiranë. Nëse nuk do të qe Tirana, është Partizani, është Dinamo. I kemi pasur rivalë të përjetshëm, por i respektoj. Janë gati 60 tituj kampionë nën emrin e këtyre tri skuadrave. Unë jam bardheblu i përjetshëm, por, po të mos qe 17 Nëntori, Tirana, do të bëja tifozllëk për Partizanin apo Dinamon.

Cila ka qenë sfida më interesante, më emocionale dhe më e përjetuar prej jush: 17 Nëntori-Partizani apo 17 Nëntori-Dinamo?

Emocionet më të mëdha i kam përjetuar kundër Partizanit, por një sfidë e veçantë dhe plot rivalitet ka qenë edhe kundër Flamurtarit, që në ato vite ka pasur një superekip: me Petro e Vasil Rucin, me Kushtën, Tahon, Gjondedën, Çipin, Bubeqin etj., një skuadër që eliminonte Partizanin e Beogradit, që shkonte gjer në turin e tretë të Kupave të Europës dhe dilte e pahumbur ndaj Barcelonës. Ishte kënaqësi dhe emocion mbresëlënës të luajë kundër Flamurtarit, ama edhe shumë e vështirë, sepse ishte një skuadër që të vinte nën presion dhe, kur luanim në Vlorë, na dukej sikur kishim 50 kg peshë mbi kurriz; nuk kanë qenë ndeshje të lehta.

Cili lojtar ka qenë kundërshtari më i vështirë për Agustin Kolën?

Të them të drejtën, mbrojtësit e djathtë të gjithë të vështirë kanë qenë, jo vetëm në ndeshjet e derbit, por edhe në rrethe. Ka pasur mbrojtës shumë të mirë dhe të vështirë dhe nuk e kam të lehtë të veçoj ndonjë.

Si ju duket formula e Superligës, me 10 ekipe dhe 4 faza?

Për mendimin tim, është numër i kufizuar. Të paktën të kishim një Superligë me 16 ekipe, organizuar me dy faza dhe pastaj të mendoheshin modulet për numrin e skuadrave që do të zbrisnin një kategori më poshtë, skemën e ndeshjeve “play off” etj.  Një Superiore pa Dinamon, Flamurtarin, Elbasanin, Luftëtarin, Besën, Tomorin etj… E vërtetë e trishtueshme! E rithem, futbolli nuk luhet në Dukagjinin tim. Një kampionat pa Flamurtarin e Dinamon, pa Gjirokastrën, pa Kavajën, pa Elbasanin etj., është i zbehtë, nuk është i plotë dhe gara nuk ka kuptimin e duhur. Janë skuadra me histori dhe peshë në futbollin elitar.

Agustin Kola

Bojkoti, kërkesat e Ligës Profesioniste, mungesa e futbollit në fushë… Si e gjykon këtë situatë Agustin Kola?

Çdo sporti i vlejnë kushtet e përmirësuara dhe çdo nismë pozitive rrit cilësinë e sporteve. Bojkoti është parë si masë shtrënguese e Ligës nga qeverisë, nuk e paragjykoj, por mendoj se ka ndikuar negativisht te skuadrat, te lojtarët, pasi ndeshjet miqësore kurrë nuk kanë impenjimin e ndeshjeve zyrtare.

Cilat ekipe shihni si pretendente të këtij sezoni?

Tirana vjen si kampione dhe ka avantazhe, por edhe presion; Kukësi ka ndryshuar thuajse tërësisht. Mund të ketë marrë lojtarë cilësorë, por edhe ka larguar shumë të tillë dhe skuadrës ndoshta do t’i duhet kohë për t’u përshtatur dhe për të qenë në nivelet e pretendentes; Teuta dhe Laçi kanë bërë merkato të mirë dhe do të përpiqen të shfrytëzojnë kualitetet për të qenë me objektiva titulli, por edhe Partizani, pavarësisht bllokimit të merkatos, ka një grup të mirë për të qenë në këtë “valle”. Gjithsesi, unë shoh si favorite kryesore Tiranën.

“Sozia” e Agustin Kolës. A keni parë ndonjë futbollist të ngjashëm me ju që nga koha kur latë futbollin e gjer sot?

Nuk kam parë një futbollist me tipare të ngjashme, nuk e them për mburrje këtë gjë, jo, por të njëjtën gjë do të thosha edhe nëse do të më pyesnit për ngjasime të një lojtari sot me një futbollist tjetër të brezit tim. Do ta kisha shumë të vështirë dhe mendoj se nuk ka vend për krahasime, në shumë aspekte. Kur kam qenë te Shkëndija, bashkë me Halit Gegën stërviteshim edhe natën në palestër, pasi kishim bërë 5-6 orë stërvitje gjatë ditës.

Cili është pengu i Agustin Kolës në karrierën e tij sportive?

Nuk kam asnjë peng, absolutisht. Jeta ime ka qenë “luftë”. Kam pasur një tip që, kur më shanin dhe kritikonin, bëhesha më i fortë. Nuk më bënin shumë përshtypje lavdërimet, por kënaqësia më e madhe për mua, siç ju thashë dhe më lart, kanë qenë njerëzit, tifozët, jo vetëm të 17 Nëntorit, por në çdo qytet të Shqipërisë. I kam arritur të gjitha. Kur të duan, kur të respektojnë dhe të brohorasin në çdo fushë e stadium, atëherë ndihesh i përmbushur dhe pa asnjë peng në vetvete.

agustin Kola-Halili

Çfarë do të thoshte Agustin Kola për Agustin Kolën?

Më zutë pak ngushtë dhe nuk e kam menduar ndonjëherë. Për mua, më mirë le të flasin të tjerët. Megjithatë, unë jam edukuar me frymën e familjes, që nga gjyshi nga ana e babës (Zef e quanin gjyshin), i cili më merrte pas vetes dhe më këshillonte të isha i durueshëm, të mos rrëmbehesha, të kontrolloja nervat, të hapja rrugë, por ama, nëse më binin më qafë, t’i jepja secilit hakun. Normalisht që edhe Agustin Kola ka bërë gabime, por jo faje, kurrë. Kur kam gabuar, kam reflektuar dhe kam kërkuar të falur. Jam njeri si gjithë të tjerët, më pëlqen sinqeriteti dhe e vërteta, sado e hidhur të jetë ajo.

Cili është mesazhi i mjeshtrit Kola për lojtarët që veshin fanellën e Tiranës, sidomos të rinjtë?

Sot është ekonomi tregu dhe futbollistët mund të luajnë në çdo skuadër. Ama, atje ku luajnë, duhet të respektojnë në maksimum ngjyrat e skuadrës, ca më tepër fanellën e 17 Nëntorit, Tiranës, që është “plumb e rëndë”, pasi është ekipi më fitues në Shqipëri, një fanellë që e kemi ngritur me mundim, me djersë e gjak, me sakrifica ë stërmundime, duke u ngritur mbi të gjitha padrejtësitë që mund të na jenë bërë. Ndaj, të rinjtë sot, duhet të mendohen mirë dhe ta “peshojnë” mirë veten kur vendosin të luajnë për Tiranën, sepse të gjithë emrat zbehen përpara madhështisë dhe legjendës që përbën kjo skuadër, ky klub.

ljk

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"