Spanja keqtrajton Maqedoninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2014 | 14:17

Spanja keqtrajton Maqedoninë

SpanjaSpanja mund të dështojë në miqësore, por jo kur bëhet fjalë për ndeshjet serioze, për ato që vlejnë pikë. Pas humbjes me Francën në miqësore, dje kampionët e Europës në fuqi bënë debutimin e tyre në stadiumin “Mestaja” të Valencias. Sfida e parë kualifikuese drejt Europianit 2016 i vinte përballë Maqedoninë, e cila kishte ëndërruar më kot se “furitë e kuqe” nuk ishin më ajo skuadër e frikshme e pak muajve më parë, teksa për 17 minuta e panë veten në disavantazh 2-0. Pa shumë prej titullarëve të tij, trajneri Del Boske zgjedh një grup të denjë, ku Pako Alkaser jo vetëm që debuton, por edhe shkëlqen. Gjithsesi, ai që e zhbllokoi takimin ishte Serxho Ramos, i cili ushtron një penallti “alla Panenka”, e cila e lë pa shpresë portierin kundërshtar. Kalojnë vetëm pak sekonda dhe idhulli i shtëpisë, Pako Alkaser, dërgon shifrat në 2- 0, pas një aksioni model me tre takime, ku protagonistë ishin edhe Fabregas e Huanfran. Ndeshja u duk e mbyllur, por për ta hapur mendon arbitri grek, i cili akordon një penallti shumë të dyshimtë për miqtë. Nga pika e bardhë, shqiptaro-maqedonasi Ibraimi nuk gabon. Për 28 minuta në fushë ka vetëm spektakël, por sfida nis të bëhet nervoze, aq sa Koke dëmton rëndë në gju Alioskin, i cili do të mbetet në dhomat e zhveshjes. Gjithsesi, përpara se të dyja skuadrat t’i drejtoheshin tunelit, Buskets është me fat kur një goditje nga 20 metra devijohet prej Sikov dhe përfundon në rrjetë. Me avantazhin 3-1, fraksioni i dytë i lojës është një stërvitje luksi për Spanjën, e cila nuk vonon, por në minutën e 59-të shënon edhe golin e katërt me David Silvën. Ylli i Mançester Sitit, me një të majmtë të paparashikueshme në zonë, surprizon të gjithë mbrojtjen dhe portierin maqedonas, duke blinduar tri pikët. Por spektakli nuk ka përfunduar, sepse në të 91-ën Pedro do u japë “shuplakën” finale ballkanasve, me një parabol të bukur. Për miqtë maqedonas ishte një mbrëmje e bukur, sepse të paktën panë dhe njohën nga afër disa prej idhujve të tyre. E bukur dhe e paharrueshme ishte edhe për talentin e shumëpërfolur Munir, i cili bëri debutimin e tij me “furitë e kuqe”, ku për 20 minuta harroi të gjithë vorbullën e dyshimit dhe impaktit negativ që pati afrimi i tij në përfaqësuese. Pavarësisht të gjithave, Del Boske i duartroket të gjithë dhe merr menjëherë kryesimin e Grupit C.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"