Skënderbeu, si tifozët hodhën lekët dhe fshehën çelësat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2015 | 16:51

Skënderbeu, si tifozët hodhën lekët dhe fshehën çelësat

banNë një shtetrrethim dhe me super masa nga ana e policisë për sfidën e Ligës së Kampioneve midis Skënderbeut dhe Milsamit që u luajt në “Elbasan Arena”, kjo ndeshje nuk pati incidente nga ana e tifozërisë. Mirëpo, nëse në pamje të parë u duk sikur gjithçka shkoi në mënyrë perfekte dhe, në fakt gjatë 90 minutave ashtu ishte, përpara se sportdashësit të hynin në impiant kanë pasur probleme me policinë dhe stjuartët që merreshin me sigurinë. Për shkak të masave ekstreme dhe deri-diku edhe jashtë logjikës, shumë tifozë u detyruan të braktisnin hyrjen në stadium, edhe pse ishin të pajisur me një biletë për ta parë nga afër takimin.

Kulmi arriti deri në atë pikë saqë një pjesë e mirë e tifozërisë u detyrua të fshihnin çelësat e shtëpisë dhe të makinës nëpër çorape dhe vende të tjera, në mënyrë që të mund të futeshin në stadium, sepse siguria nuk lejonte edhe çelësa me vete. Disa u larguan, pasi nuk mund t’i hidhnin çelësat në tokë, të tjerët më të shkathët dhe që u shpëtuan kontrolleve në disa sektorë të hyrjes në fushë ia dolën pas shumë peripecive të shihnin takimin. Një siguri që, herë pas here, kaloi edhe kufijtë e normales dhe logjikës.

Paradoksi Kontroll i rreptë u bë edhe për sa u përket monedhave, të cilat nuk do të lejoheshin në stadium, ku pothuajse një e nga një tifozët u detyruan të “zbrazin” xhepat, sepse në të kundërt nuk mund të futeshin brenda. Poshtë në tokë, pranë portës hyrëse, u mbush plot me monedha dhe, tek-tuk shihje njerëz të varfër, të cilët mundoheshin t’i mblidhnin ato. Mirëpo, nëse siguria e bëri punën e vet për hyrjen në impiant, paradoksi qëndron në faktin se në stadium kishte shërbim katering dhe, nëse blije diçka, kusurin do ta merrje edhe në monedha. Pra, edhe pse u ndalua futja e tyre në stadium, pasi konsideroheshin si të rrezikshme, sërish kush dëshironte mund ta kishte një të tillë me vete. Për fat të mirë, askush nuk tentoi të hidhte një monedhë në fushë dhe me shaka dikush nga sportdashësit pohoi pas ndeshjes: “Nuk e kemi luksin të hedhim lekë në fushë, ndaj të mos shqetë- sohen nga ne për këto gjëra”.

Arrestimi Gjithë ai pompozitet që u bë për ndalimin e mjeteve të forta në stadium, bëri që njerëzit të “harronin” se kontroll do të kishte edhe për mjetet “të buta”, por që përbëjnë shkelje. Kështu, një tifoz u kap me një sasi hashashi me vete gjatë momentit që do të hynte brenda. Polica e Elbasanit në një komunikatë për shtyp deklaron: “U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Z. 30 vjeç nga Tirana, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga efektivët e policisë në ambientet e jashtme të stadiumit ‘Elbasan Arena’, gjatë kohës që ky shtetas po hynte për të parë ndeshjen në stadium, i është gjetur në xhep një sasi kanabis sativa, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"