Skënderbeu pa frena, Pero Pejiç zhyt Tiranën dhe sfidon: S’ngopem me gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2012 | 13:04

Skënderbeu pa frena, Pero Pejiç zhyt Tiranën dhe sfidon: S’ngopem me gola

SKËNDERBEU – TIRANA 2-0
GOLAT: Pejiç 50′, 77′
SKËNDERBEU: Shehi, Vrapi, Bici, Gvozdenoviç, Arapi, Tomiç, Lilaj (Çaushaj 94′), Shkëmbi, Orelesi (Dimo 83′), Pejiç, Plaku (Kuli 90′); Trajner: M.Josa
TIRANA: I.Lika, Pashaj, Pisha (Sina 81′), Dushku, Ahmataj, Taku, Muçollari, Karabeci, G.Lika, Morina (Limani 61′), Çota (Peposhi 30′); Trajner: A.Lekbello
KARTONË TË VERDHË: Orelesi 21’/ , Ahmataj 67′, Muçollari, 28′, 54′
KARTON I KUQ: Muçollari (2)
DELEGAT: Besnik Çelaj (Tiranë)
VËZHGUES: Ilir Kristo (Tiranë)
GJYQTARET: E.Sino, O.Grabova (Fier), G.Qirici (Tiranë)

MINUTAT
6′ Ahmataj kroson në zonë për Morinën, i cili tenton të godasë, por Arapi largon topin.
15′ Shkëmbi rrezikon nga distanca, por topi i tij përfundon jashtë kuadratit.
19′ Tomiç kroson në zonë, Plaku tenton me kokë, por vetëm jashtë.
21′ Tomiç i ndodhur në këndore, gjuan fuqishëm, duke rrezikuar Ilion Likën, por ky i fundit sërish grushton.
24′ Tentativë e Shkëmbit nga jashtë zone, por nuk gjen portën.
26′ Ahmataj kontrollon bukur topin, gjuan nga distanca, por topi preket gabimisht nga Çota, duke i penguar rrezen.
30′ Pejiç pason për Lilajn, i cili gjuan bukur, por topi pengohet në pellg uji.
36′ Plaku kalon Pishën, afrohet në zonë, por Lika grushton.
39′ Rivënie me duar e Vrapit, i cili gjen kokën e Bicit. Ky i fundit gjuan, por Lika pret edhe pse me vështirësi.
44′ Aksion i gjatë i vendësve, përmbyll Plaku me një goditje, por portieri i Tiranës pret.
49′ Plaku futet në zonë, pason për Tomiç, i cili bën gjithçka mirë, gjuan, por Pisha shtrihet duke e penguar topin.
50′ Plaku kombinohet me Pejiç, i cili gjuan fuqishëm nga jashtë zone dhe topi përfundon drejt e në rrjetë, 1-0.
57′ Goditje dënimi e Shkëmbit, gjuan bukur, por Lika grushton duke e larguar rrezikun.
73′ Pejiç nga distanca, por topi përfundon mbi tra.
77′ Tomiç kroson për Pejiç, i cili gjuan në rënie e sipër, duke e dërguar jo vetëm topin, por edhe portierin brenda në rrjetë, 2-0.
79′ Gjuajtja e parë e Tiranës në portë, Peposhi me kokë, por topi devijohet nga mbrojtja vendëse.
90′ Ahmataj pason për Likën, i cili tenton, por Gvozdenoviç neutralizon rrezikun. 92′ Karabeci gjuan lehtë, pret Shehi.
93′ Kuli godet fuqishëm, por nuk gjen kuadratin.

Tirana humbet 2-0 në Korçë dhe zhytet më thellë në krizë. Dy golat e Pero Pejiç u kanë dhënë goditjen finale bardhebluve, të cilët tashmë janë futur në një rrugë pa kthim. “Tërmeti” është i paevitueshëm, stoli i trajnerit pëson një lëkundje edhe më të rëndë se ajo pas Kukësit, ndërsa lojtarët parapërgatiten për gjoba. “Gjyqi” do të zhvillohet nesër dhe pritet që masat të jenë të rënda. Një ekip pa identitet dhe aspak krijues. Madje, rastin e parë për gol e ka krijuar në të 79- ën minutë, fakt që dëshmon se kryeqytetasit kanë probleme të shumta. Skënderbeu tregoi edhe një herë diktatin e vet në kampionat dhe blindon kreun, me 6 pikë më shumë se Besa e vendit të dytë dhe 7 nga të besuarit e Lekbellos.
Pjesa e parë Nën një stadium të tejmbushur nga tifozët korçarë, Skënderbeu e ka dominuar duelin e djeshëm. Ekipi i Josës ka krijuar thuajse në çdo minutë, duke e vënë shpeshherë në provë gardianin Lika. Tirana pa shumë risi me formacion, ku sulmi i ishte besuar dyshes së zakonshme Morina-Çota, por ky i fundit doli shumë shpejt, ndërsa u zëvendësua çuditshëm në të 30-ën minutë nga i riu Peposhi. Megjithatë bardheblutë janë të parrezikshëm në të gjitha rastet, duke e lënë të pashqetësuar portierin Shehi. Pejiç-Plaku, nga ana tjetër, janë në top-formë. Kjo edhe për meritë të Tomiç, i cili u ka shërbyer vazhdimisht. Në minutën e 15-të, Shkëmbi rrezikon nga distanca, por topi i tij përfundon jashtë kuadratit. Pak minuta më vonë Tomiç kroson në zonë, Plaku tenton me kokë, por vetëm jashtë. Sërish mesfushori, i cili këtë herë tenton vetë duke gjuajtur fuqishëm, por Lika edhe pse me vështirësi grushton. Në të 24-ën është Shkëmbi, i cili tenton nga distanca, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. Reagon Ahmataj, i cili bën gjithçka mirë, kontrollon bukur topin, gjuan nga larg, por topi preket gabimisht nga Çota, që i pengon rrezen. Radha e Lilajt, i cili gjuan bukur, topi pengohet në pellg uji. Minutat vazhdojnë dhe korçarët shtojnë presionin, por nuk gjejnë portën, teksa me dy raste ideale të Plakut dhe një të Bicit mund t’i kishin zhbllokuar shifrat. Megjithatë, gjithçka mbeti e pandryshuar për këtë pjesë.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis me një Skënderbe edhe më kërkues, i cili mbetet në portën mike. Tirana lëshon terren, gabon pafundësisht dhe sidomos në mbrojtje, duke lëshuar kështu shumë shpejt edhe mesfushën. E në fakt goli nuk vonon dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Vula është e një ish-i, pikërisht e Pero Pejiçit. Plaku kombinohet me kroatin, i cili gjuan tokazi nga jashtë zone dhe e dërgon topin drejt e në rrjetë, 1-0. Sulmet e korçarëve shpeshtohen dhe kjo shton nervozizmin në radhët e bardhebluve. Muçollari ndëshkohet me të kuq në të 55-ën minutë, pas një përplasjeje fizike me Orelesin, dhe ky episod e rëndon edhe më gjendjen e Tiranës, e cila me një lojtar më pak detyrohet që të kthehet në mbrojtje dhe të harrojë sulmin. Kjo duket edhe nga lëvizjet që bën Lekbello, duke nxjerrë Morinën jashtë dhe futi Limanin. Në të 77-ën minutë Tirana merr goditjen e dytë, atë që e lë pa fije shprese. Tomiç kroson për Pejiç, i cili gjuan në rënie e sipër duke e dërguar jo vetëm topin, por edhe portierin brenda në rrjetë, 2-0. Tirana, edhe pse mundohet, e ka të pamundur që të bëjë diçka, jo se mungojnë minutat, por është e pafuqishme për ta bërë një gjë të tillë.

MË I MIRI
Pero Pejiç ka qenë pa diskutim lojtari më i mirë në fushë. Ai ka dëshmuar edhe këtë herë se është gjigand para porte dhe është gjithnjë aty për të shënuar. Kroati, me dopietën e realizuar, shkoi në kuotën e 8 golave, duke blinduar Skënderbeun në krye të tabelës. Pas nuk mbetet as Tomiç, i cili shërbeu vazhdimisht sulmin me krose, ndërsa ishte tepër luftarak në fushë.

MË PAK AKTIVI
Mirel Çota dhe Elton Muçollari ishin më pak aktivët në fushë. I pari u zëvendësua shumë shpejt, pasi në 30 minuta që luajti nuk bëri asgjë. Ai, përpos ndonjë rasti që krijohej, nuk arrinte që të çante mbrojtjen mike. I dyti, edhe pse ishte dobët në fushë, e dëmtoi skuadrën e tij duke u ndëshkuar me të kuq. Një gjest që e dëmtoi edhe më rëndë Tiranën, pas disavantazhit.

“Bomberi” Pero: S’ngopem me gola
Pero Pejiç vazhdon galopimin e tij drejt “Këpucës së Artë”, edhe pse kampionati nuk ka shkuar as në gjysmën e tij. Sulmuesi kroat ka shënuar 8 nga 15 golat që ka sigluar Skënderbeu deri tani në kampionat. Edhe dje Pejiç realizoi një dopietë duke “dënuar” në njëfarë mënyrë ishskuadrën e tij, Tiranën. “Është një moment shumë i mirë jo vetëm për mua, por edhe për skuadrën. Bëmë një ndeshje shumë të mirë ndaj një kundërshtari të fortë dhe rivali direkt në kampionat si Tirana. Sigurisht, më vjen mirë që shënova edhe sot dhe që golat e mi vlejtën për tri pikë më shumë në renditje për Skënderbeun. Por në fund të fundit kjo është puna ime, të bëj sa më shumë gola”, – ka thënë sulmuesi direkt pas ndeshjes së djeshme në Korçë. Sakaq, ai nuk e ka lënë pas modestinë kur pyetet për formën e mirë që po kalon, sidomos në kampionatin shqiptar, duke qenë se ka shkëlqyer me të gjitha skuadrat që ka luajtur (Dinamo, Tirana, Flamurtari dhe Skënderbeu). “Në fakt, unë jam munduar gjithnjë të bëj më të mirën time kudo ku kam shkuar. Herë më ka ecur mirë e herë shumë mirë. Në Shqipëri kudo ku kam luajtur jam mundur që të ndihmoj skuadrën time, ashtu sikundër po bëj edhe tani me Skënderbeun. Më vjen mirë që jemi në rrugën e duhur duke kryesuar denjësisht kampionatin”, – ka vazhduar Pejiç. Në fund, me anë të një pyetjeje lojtarit i është kujtuar edhe e shkuara e afërt: Flamurtari, paçka se ai e ka anashkaluar me goxha xhentilëse dhe diplomaci. “Flamurtari ka fituar sot? Ok, por kjo pak më intereson. Unë tani jam një lojtar i Skënderbeut dhe dua që të shënoj sa më shumë gola për këtë skuadër, nuk më intereson asgjë tjetër. Jam në një klub të mirë dhe shpresoj që deri në fund gjërat të na ecin e të fitojmë titullin”, – ka thënë futbollisti. Kujtojmë që Pejiç luajti nga janari deri në korrik për vlonjatët, por më pas për shkak të mosarritjes së akordit të rinovimit të kontratës u largua drejt Korçës.

“Fituam me meritë, nuk besuam te kriza bardheblu”
Ai ishte një ndër më të mirët në fushën e lojës, aq sa edhe kur kronometri shënonte minutën e 80-të, luftoi për topin e parë sikur Skënderbeu të ishte në disavantazh. Ky është kapiteni Blendi Shkëmbi, i cili nuk lë pa “thumbuar” me shaka edhe premion e vënë nga ish-presidenti Agim Zeqo. “Asnjëherë nuk e morëm në konsideratë humbjen që Tirana pësoi në Kukës për Kupën e Shqipërisë. Gjatë gjithë javës kemi punuar shumë në stërvitje, duke u përqendruar se si ta mundim këtë skuadër. Siç e patë në pjesën e parë, edhe pse nuk kemi të bëjmë me Tiranën e emrave të mëdhenj, loja ishte e barabartë dhe ata na vunë në vështirësi. Por pas shënimit të golit ishim shumë më të qetë dhe arritëm ta administronim rezultatin dhe në fund t’u gëzoheshim edhe pikëve”, – tha fillimisht kapiteni. Më pas Shkëmbi konfirmon edhe premion që skuadra mori pas ndeshjes nga ish-presidenti Agim Zeqo. “Është e vërtetë që ish-presidenti Zeqo erdhi para ndeshjes në dhomat e zhveshjes dhe na premtoi një shpërblim për fitoren, të cilin ne na u desh që ta merrnim (qesh). Realisht na erdhi mirë që Zeqo vazhdon ende të mendojë për këtë skuadër, tek

Shkëlqen në të djathtë, Vrapi: Jemi të pathyeshëm!
E pazakontë për një lojtar që luan me të majtën, që të pozicionohet në të djathtë. Mirëpo mungesat e shumta e detyruan Mirel Josën që ta adaptonte Endri Vrapin në këtë krah. Detyrë që e bëri më së miri, madje shpeshherë fitoi edhe duelet me Gilman Likën, i cili është një ndër lojtarët më të mirë në vendin tonë. Vetë Vrapi, që në këtë takim përballej si “ish”, e thotë hapur që Skënderbeu i tij është i pathyeshëm. Në deklaratën e dhënë për gazetën në përfundim të këtij dueli, tiranasi i korçarëve flet edhe për paraqitjen e tij. “Të gjithë e pamë se çfarë mbrojtje kemi! Jemi shumë të qartë në veprimet tona dhe solid në prapavijë, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit. Pavarësisht se kemi mungesa në ekip, sërish treguam forcën tonë. Jam i lumtur për këtë paraqitje dhe për fitoren. Treguam forcën dhe suksesin e grupit. Blinduam kreun dhe jam i bindur që nuk do ta lëshojmë deri në përfundim. Jemi të pathyeshëm!”, – përfundoi Vrapi.

Korçarët, 20 mijë dollarë për fitoren
Sikundër ishte premtuar, Skënderbeu mori 20 mijë dollarë shpërblim për fitoren e arritur kundër Tiranës. Në fakt, një gjë të tillë e kishin komunikuar hapur drejtuesit, por dje është ripërsëritur, teksa pas mbylljes së 90-minutëshit të kësaj supersfide presidenti Ardjan Takaj dhe “ish”-i, Agim Zeqo, u drejtuan dhomave të zhveshjes. Zeqo ishte ai që ia komunikoi ekipit se për këtë trepikësh të artë të arritur, ata do të shpërblehen. Në fakt, në Korçë aplikohen shpesh premiot, mirëpo kur përballë është një kundërshtar si Tirana, dëshira për të fituar shtohet edhe më shumë. Kjo e detyron edhe klubin që ta motivojë skuadrën.

Ja rastet e diskutueshme
Pritej që ndeshja të gjykohej nga një arbitër i FIFA-s, mirëpo dje iu besua Emirjon Sinos. Ky i fundit ka bërë një punë të mirë, duke mos ndikuar në asnjë moment në rezultat. Megjithatë, rastet e diskutueshme edhe për këtë supersfidë nuk mungojnë. Në të 14-ën minutë anësori gabon, duke sinjalizuar pozicion jashtë loje për Tiranën, në një kohë që Çota mbulohej nga një lojtar i Skënderbeut. Në minutën e 59-të Pejiç shtyhet nga Dushku, por gjyqtari akordon vetëm goditje dënimi, në një kohë që kroati kishte rast goli.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"