“Skënderbeu është i vdekur pa tifozët”, Gvozdenoviç: Ndeshje speciale, dua nëntë pikë deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2022 | 10:28

“Skënderbeu është i vdekur pa tifozët”, Gvozdenoviç: Ndeshje speciale, dua nëntë pikë deri në fund

Skënderbeu është gati për ndeshjen e radhës në kampionat përballë Turbinës së Cërrikut, që do të luhet të dielën në orën 15:00 në Korçë. Për trajnerin Ivan Gvozdenoviç, fitorja në Fier ishte e rëndësishme për ringritjen morale të ekipit, ndërsa nesër kërkon tri pikët e para në sytë e publikut korçar. Serbi kërkon mbështetjen e ekipit në çdo ndeshje nga tifozët dhe në një intervistë enkas për “Panorama Sport” flet për gjendjen e ekipit dhe emocionet e debutimit në shtëpi.

GVOZDENOVIC

Ivan, e nisët me fitore ndaj Apolonisë. Sa i rëndësishëm është ky start?

Patjetër që ka qenë shumë e rëndësishme dhe këtë e kam theksuar edhe më herët. Ishte një ndeshje tejet delikate, për faktin se ishte e para për mua si trajner i Skënderbeut dhe mbi të gjitha vinim nga rezultate jo të mira. E doja të fituar këtë takim të parë për t’i dhënë një shkundje djemve, që të kishin më shumë besim te vetja dhe kjo gjë ndodhi. Jam shumë i kënaqur, por tani është koha që të lëmë pas këtë takim, ta harrojmë dhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës.

Është folur shumë për ndryshim mentaliteti. Ekipin e keni gjetur të bllokuar psikologjikisht?

Ajo që unë dua të them, pa i hyrë në pjesë paraardhësve të mi, është fakti se ekipi ishte bllokuar mendërisht nga mungesa e rezultateve. Kjo ishte ajo që duhet të ndryshonim dhe na ndihmoi kjo fitore. Skënderbeu është një klub i madh dhe i vetmi presion është ai i futbollit, asgjë tjetër. Prandaj, kemi kërkuar të luajmë futboll të bukur dhe ta shijojmë si duhet.

Ndeshja e së dielës në shtëpi me Turbinën është e para në Korçë si trajner, ju emocionon ky moment?

Shumë special, jam i ngarkuar nga emocionet për këtë takim, pasi rikthehem atje ku kam kaluar tri vite shumë të suksesshme të karrierës sime si futbollist. Së bashku kemi fituar gjithçka dhe e kemi shijuar në maksimum. Por, tani jam në një tjetër pozicion, jam si trajner. Do të përpiqem të lë pas emocionet dhe besoj se jemi gati. Do të bëjmë më të mirën për të fituar. Por, për këtë takim kaq special kam edhe një thirrje për tifozët. I dua të shumtë në numër, pasi Skënderbeu pa tifozë është i vdekur. Duhet të jemi bashkë si dikur dhe të rikthejmë Skënderbeun e madh.

Tri ndeshje deri në fund të vitit, llogarisni edhe 9 pikë?

Po, dua 9 pikë në këto tri takime. Do të bëjmë maksimumin për t’i marrë dhe të jemi duke bërë të tjera llogari më pas. Do të bëjmë maksimumin për këtë dhe të jeni të sigurt. Do të hyjmë në fushë gjithmonë për fitoren, pasi jemi Skënderbeu dhe kështu na shkon përshtat.

Merkato po afron dhe kanë qarkulluar disa emra. Në çfarë pozicionesh ka nevojë Skënderbeu për afrime?

Pse të fshihemi, kemi nevojë për afrime, pasi kemi vetëm 20 lojtarë në dispozicion dhe unë dua një ekip më të kompletuar. Dua çdo rol të dubluar dhe të rritet konkurrenca në ekip. Duhet të kemi rivalitet, por për momentin jam i përqendruar vetëm te ndeshjet e radhës. Fillimisht le të mbyllim takimet dhe për merkaton ka kohë. Do të flasim me presidentin dhe do të vendosim si do të veprojmë, por të mendojmë fillimisht për ndeshjen e radhës ndaj Turbinës.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"