Skënderbeu do revanshin kundër Dinamos, Gvozdenoviç ka gjithë… “arsenalin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 23:18

Skënderbeu do revanshin kundër Dinamos, Gvozdenoviç ka gjithë… “arsenalin”

Skënderbeu është gati për ndeshjen e radhës në kampionat në transfertë ndaj Dinamos. Kjo betejë konsiderohet tejet e rëndësishme sa i përket objektivit të vendit të katërt për të dyja ekipet, por mbi të gjitha, një takim revanshi për Skënderbeun, që do të kërkojë të kthejë reston e humbjes në shtëpi në fazën e tretë përballë bluve.

gvozdenovic

Në atë ndeshje nuk kanë munguar pretendimet e bardhekuqve në lidhje me gjykimin. Në kushte të tilla duket se në kampin e Skënderbeut janë bërë gati për “luftë”, ndaj dhe për këtë pritet që të jetë një ekip i mirëvendosur në fushë dhe mbi të gjitha i motivuar në maksimum për të dalë me pikë të plota nga kjo ndeshje. Ndaj edhe për këtë fakt duket se Ivan Gvozdenoviç pritet që të shkojë në Durrës me “arsenalin” e rëndë dhe me një ekip ofensiv në këtë takim.

Të bindur se vendi i katërt është një objektiv më se i arritshëm, në Korçë mendojnë të hyjnë në çdo ndeshje për ta fituar, ndaj edhe në këtë takim, në bazë të provave të bëra nga trajneri në këto seanca stërvitore, pritet një Skënderbe me rreshtimin 4-3-3.

Marko Alia do të rikthehet titullar mes shtyllave, teksa në mbrojtje do t’i besohet sërish katërshes së lojtarëve, që kanë bërë mirë në ndeshjet e fundit. Vangjeli në të djathtë dhe Gërxho në të majtë do të jenë krahët e prapavijës, ndërsa Prençi do të kompletojë qendrën e mbrojtjes me një mes Ramos dhe Randir, të cilët janë në balotazh për një vend titullari. Para mbrojtjes pritet që të luajë Rabiu, i cili është një lojtar tejet i rëndësishëm për mesfushën korçare, ndërsa para tij Juri dhe Liço do të jenë dy lojtarët e tjerë që do të kompletojnë këtë repart.

Natyrisht me kapitenin e Skënderbeut, që do të alternohet në fazën sulmuese me brazilianin Juri, ku herë njëri e herë tjetri do të kujdesen për pasimin e fundit. Në repartin e sulmit pritet që Gvozdenoviç t’i besojë treshes së rikthyer në dispozicion të plotë për këtë takim.

SKENDERBEU

Dy lojtarët e kombëtares U-21 janë gati dhe do të jenë pikërisht ata që do të mbulojnë krahët e ofensivës. Rashica nga e majta e sulmit dhe Nikaj nga e djathta, do të mbështesin Frenklin në majën e repartit të avancuar. Me këtë formacion korçarët do të përpiqen të marrin tri pikët në ndeshjen e së shtunës në Durrës përballë Dinamos.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"