SITUATA/ Silvinjo rreshton skuadrën për stërvitjen e parë në Tiranë, takim “kokë më kokë” me Dukën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2023 | 23:44

SITUATA/ Silvinjo rreshton skuadrën për stërvitjen e parë në Tiranë, takim “kokë më kokë” me Dukën

Kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e parë stërvitore të shtatorit në kuadër të ndeshjeve kualifikuese ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë. Me sfidën e programuar ndaj kryesuesve të Grupit E më datë 7 shtator në “Fortuna Arena” të Pragës, Shqipëria do të stërvitet edhe sot në Tiranë, për të udhëtuar nesër paradite për në Çeki, ku do të zhvillojë edhe seancën zyrtare para ndeshjes.

kombetarja bajrami asllani uzuni gjimshiti

STËRVITJA E PARË – Trajneri Silvinjo kishte në dispozicion 24 futbollistë për seancën e djeshme, ku mungesa e vetme ishte Qazim Laçi, që nuk ia doli të stërvitej me pjesën tjetër të grupit për arsye shëndetësore. Mesfushori, i cili është i vetmi që luan në kampionatin çek me Spartën e Pragës, po kalon një gjendje gripale dhe po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi. I pari që doli në fushë ishte portieri Tomas Strakosha me trajnerin e portierëve Ilir Bozhiqi.

Më pas del Keidi Bare, Ylber Ramadani, Ernest Muçi dhe Arbnor Muja, të cilët ishin veshur me atlete për të vijuar me vrapim të lehtë rreth fushës, për shkak se të katër lojtarët ishin të angazhuar me klubin e tyre në fushë mbrëmjen e së dielës dhe patjetër që ishin të ngarkuar. Sa i përket Mujës, në stërvitje u shfaq me numrin 25 në fanellë. Ndërkohë, pjesa tjetër ka vijuar përgatitjet normalisht, nën urdhrat e Silvinjos. Ndryshe nga grumbullimet e mëparshme, ku trajneri vishte këpucët me taka dhe bashkohej me futbollistët, dje kishte zgjedhur që të qëndronte duke vëzhguar nga jashtë, teksa më aktiv me topin ishin ndihmësit Zabaleta dhe Doriva. Të fundit që u bashkuan ishin Mario Mitaj dhe Etrit Berisha.

DUKA ZBRET NË FUSHË – I pranishëm në stërvitjen e parë të ekipit përfaqësues ishte edhe Armand Duka. Kreu i FSHF-së takoi trajnerin Silvinjo dhe ndihmësit e tij dhe zhvilloi një bisedë disa minutëshe me ta, duke u treguar edhe diçka nga celulari i tij. Gjithashtu më pas u përshëndet edhe me futbollistët në momentin që dolën në fushë, duke qëndruar deri në fundin e stërvitjes. I pranishëm ishte edhe zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri.

shqiperia (1)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"