Situata me dëmtimet te “demat”, Sota merr përgjigjen e duhur. Asnjë pengesë nga kartonët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2023 | 15:07

Situata me dëmtimet te “demat”, Sota merr përgjigjen e duhur. Asnjë pengesë nga kartonët

Te Partizani po punohet për rikuperimin e disa lojtarëve, në mënyrë që të shkohet me grup të plotë në derbin ndaj Tiranës, ku do të synohet fitorja e dytë radhazi. Eljon Sota është një nga temat e nxehta. Ditën e djeshme ai ka marrë përgjigjet e ekzaminimeve dhe burime pranë klubit bëjnë me dije se rezultatet kanë qenë pozitive.

partizaniiiii

Kjo i hap rrugën rikthimit në stërvitje, por fieraku mbetet ende në dyshim për shkak se duhet që këmba e tij të kthehet në gjendjen e mëparshme, pasi ai nuk luan prej 19 tetorit. Shanset për të luajtur në derbi janë të shumta, por jo 100% të sigurta. Ndërkohë, më e mirë është situata për Atanaskoskin, i cili ka një dëmtim më të lehtë dhe rikuperimi duket një mision shumë më i mundshëm.

Ai ka përfunduar vrapimet intensive dhe sot pritet t’i bashkohet ekipit në stërvitje. Të dëmtuar janë edhe Cara e Bintsuka, që kanë pësuar goditje, por që me shumë mundësi do të rikuperohen. Partizani ditën e djeshme vendosi ta lërë pushim ekipin, teksa sot do të nisë edhe misioni për derbin e së dielës ndaj Tiranës, një tjetër ndeshje vendimtare.

Kartonët, shpëtojnë “demat”

Para derbit me Dinamon, përveç dëmtimeve të shumta, te Partizani u druheshin edhe katër lojtarëve me tre kartonë të verdhë, që nëse ndëshkoheshin, mungonin në derbin e së dielës. Megjithatë, të gjithë u treguan të kujdesshëm dhe nuk u ndëshkuan. Maget, Murataj dhe Mehmeti nuk shkaktuan probleme, ndërsa Atanaskoski nuk luajti për shkak se nuk është rikuperuar ende plotësisht nga dëmtimi.

DENIS LALA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"