“Shumë zhurmë për asgjë!”/ Dorëzimi i pasaportave diplomatike nga lojtarët e kombëtares. Reagon ministrja Xhaçka: Ja si qëndron e vërteta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2021 | 16:00

“Shumë zhurmë për asgjë!”/ Dorëzimi i pasaportave diplomatike nga lojtarët e kombëtares. Reagon ministrja Xhaçka: Ja si qëndron e vërteta

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar pas lajmit se futbollistët e kombëtares shqiptare do të dorëzojnë pasaportat diplomatike të marra në vitin 2016. Xhaçka thekson se megjithëse lojtarët do të duhet të dorëzojnë pasaportat e marra deri më 30 qershor, asnjëri nuk humbet statusin e fituar 5 vite më parë. Sipas ministres po bëhet “shumë zhurmë për asgjë”, pasi “Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi”.

min01

“Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti. Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë. Është kjo arsyeja përse djemtë tanë sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016”, thuhet në deklaratën e ministres.

Më herët “Panorama Sport” publikoi shkresën që Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i kishte nisur FSHF-së, ku thuhej se të gjithë personat që janë pajisur me një pasaportë diplomatike duhet ta dorëzojnë brenda afatit të caktuar, dhe ky afat është vendosur që është 1 qershori i vitit 2021.

shkrese

Sjellim në vëmendje që lojtarët kuqezi u pajisën me pasaporta diplomatike pas përfundimit të Europianit Francë 2016, pas kualifikimit historik nën drejtimin e trajnerit Xhani De Biazi.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"