“Shtatë gola janë pak për mua”, bomberi Temitope hidhet në sulm: Kreun e kam fiksim, dua “Këpucën e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2023 | 21:20

“Shtatë gola janë pak për mua”, bomberi Temitope hidhet në sulm: Kreun e kam fiksim, dua “Këpucën e Artë”

Skënderbeu e ka gjetur “bomberin” në Kategorinë e Parë. Me shtatë gola të shënuar, është Abdul Temitope që e ka marrë këtë status. Nigeriani me pasaportë irlandeze, po u përgjimet pritshmërive që drejtuesit kishin për të dhe jo më kot këmbëngulën që të mos u ikte në janar.

temitope

27-vjeçari e ka të qartë se çfarë klubi do dhe duket se janë të njëjta me ato që ai vetë ka. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai tregon ambiciet për të kapur kreun dhe “Këpucën e Artë”.

E ka gjetur 7 herë rrjetën deri më tani, por nuk kënaqet aspak. “Golat për një sulmues janë gjithmonë të rëndësishme dhe më vjen mirë që po gjej vazhdimësinë në rrugën e rrjetës. E them me bindje se dy golat në dy ndeshjet e fundit më kanë dhënë më shumë besim pasi prej disa javësh nuk po arrija dot të finalizoja.

Tani kam gjetur ritmin dhe shpresoj që ta mbaj një gjë të tillë. Shtatë gola të shënuar në 14 ndeshje me Skënderbeun nuk mendoj se janë shumë, por edhe pak nuk janë. Ndaj po bëj të pamundurën për të qenë gjithmonë në maksimum dhe i përqendruar për të shfrytëzuar çdo rast që na del për shënim.

ABDUL TEMITOPE

Tani mund të them se ndihem më i qetë edhe për vetë faktin se ekipi është më sulmues dhe më i angazhuar në aspektin ofensiv. Kjo për ne është një garanci më shumë, ndaj nuk është rastësi që në këto javë Skënderbeu po arrin të shënojë më shumë dhe të gjithë sulmuesit po zhbllokohen”, theksoi 27- vjeçari.

OBJEKTIVAT

Edhe pse nuk është i pari në listën e golashënuesve, paralajmëron se do të ngjitet shpejt në majë. “Objektivi kryesor për ne, vendi i parë dhe ngjitja direkt në elitë. Kjo është ajo që meriton Skënderbeu. Jemi të gjithë të fiksuar te ky mision dhe besoj se rezultatet e fundit po na mbajnë në rrugën e duhur. Por nga ana tjetër kam edhe prioritetet personale për të realizuar.

temitope

Dua të shënoj sa më shumë dhe të fitoj ‘Këpucën e Artë’. Jam vetëm dy gola larg vendit të parë dhe i bindur se mund t’ia dal me ndihmën e shokëve të ekipit. Gjithsesi, me këmbë në tokë dhe i përqendruar te çdo ndeshje, ky është parimi im i punës”, vijoi numri 11 i bardhekuqve.

KUJDESI

Pas fitores me goleadë përballë Orikut, korçarët do të presin në shtëpi Luzin. Duan të vijojnë me serinë e fitoreve, ndonëse Temitope kërkon kujdes. Edhe pse e cilëson ndeshje radhe, paralajmëron se duhet përqendrim maksimal.

“Kemi një tjetër ndeshje në shtëpi dhe besoj se duhet ta shfrytëzojmë në maksimum pasi ky është një avantazh për ne.

Fitorja është i vetmi rezultat që ne kërkojmë çdo javë dhe tashmë kjo është e qartë. Por duhet ta marrim me përqendrim dhe respekt ndaj kundërshtarit, duke mos nënvlerësuar askënd. Luzi vjen nga një fitore dhe morali i tyre do të jetë në majë. Ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të mbyllim sa më shpejt ndeshjen”, përfundoi sulmuesi i Skënderbeut.

LLAZI SARO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"