Shqipëria U-17 e mbyll me goleadë ndaj San Marinos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2014 | 15:35

Shqipëria U-17 e mbyll me goleadë ndaj San Marinos

U17 gezon fitoren

U-17 SHQIPËRI-SAN MARINO 5-1
SHËNUES: Pepsi 24, 62′, Dhamo 53′, 73′, Zeka 70’/ Gati 71′
SHQIPËRIA: Selmani, Maloku, Kumanova, Sykaj, Pepsi, Hebaj (Berisha 59′), Kote, Hajrulla (Dhamo 33′), Domi (Zeka 30′), Poci, Abara. Trajner: Xhemal Mustedanagiç
SAN MARINO: Xhiulianeli (Markoni 66′), Çevoli, Korbeli (Rashi 74′), Fortunati, Gasperoni, Gati, Xhiorxhini, Mikeloti, Mularoni, Kuaranta, Sopranzi (F.Gati 50′). Trajner: S.Fioriano
GJYQTARË: A.Aleksandër/ T.Samat dhe P.Jan;
DELEGAT: C.Aleh
KARTONË TË VERDHË: Hajrulla, Zeka/ Kuaranta, Sopranzi

Shqipëria fiton thellë kundër San Marinos. Fitorja 5-1 tregon qartë se ekipi i “Xhemos” ka vlera në brendësi të grupit, por nuk vlen më shumë sesa një vend i tretë në grup. Ndryshimi është i qartë te kuqezinjtë e vegjël pasi që në fillim të takimit, trajneri Mustedanagiç rreshtoi një skuadër sulmuese dhe pa dyshim që rastet do të ishin të shumta. Kote ka qenë një ndër më të mirët në fushën e lojës për të dy ekipet në këtë fraksion loje, ndërkohë që në minutat 6 dhe 13 ka qenë po ky lojtar që për pak sa nuk ka shënuar golin e avantazhit për tanët. Atë që s’e bëri dot kapiteni i ekipit, e ka bërë Pepsi në minutën e 24-t, kur Hebaj jep një pasim të saktë te Pepsi që nuk e ka të vështirë të kalojë Shqipërinë në avantazh. Është po autori i golit të parë që ka një tjetër rast ideal në minutën e 28-të, por nuk arrin të dyfishojë shifrat. Në pjesën e dytë, Shqipëria hyn me avantazhin e golit në këtë pjesë dhe trajneri bën disa ndryshime në vendosje, të cilat sjellin rezultatin e pritur. Dy herë brenda pak minutash Shqipëria humbet dy raste të pastra me Zekën dhe më pas me Koten, ndërkohë që vetëm në minutën e 53-të do të vinte goli i dytë për tanët me autor Dhamon që shënon golin me kokë pas një krosi brenda zonës. Në të 60-n minutë është Zeka që gjuan fuqishëm, por grushton portieri mik, ndërkohë që po ky lojtar dy minuta shërben për Pepsin që shumë afër portës shënon të tretin. Tre gola në harkun kohor të tri minutave do të vinin në vazhdim, teksa Zeka shënon për tanët në minutën e 70- të, ndërkohë që miqtë një minutë më vonë do të çonin shifrat në 4- 1, pas një daljeje të gabuar të portierit Selmani dhe Gati shënon golin e vetëm të San Marinos. Gjithçka do të mbyllej në të 73-n teksa, Dhamo do të shënonte golin e tij të dytë individual dhe të pestin për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, mbyllet 5-1 në favorin e kuqezinjve. Tani kuqezinjtë presin përfundimin e të gjitha ndeshjeve në grupe dhe më pas do të caktohen edhe katër skuadrat më të mira të renditura në vend të tretë, të cilat kanë grumbulluar më shumë pikë ose kanë shënuar më shumë gola (në rast të pikëve të barabarta).

 

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"