Shkëmbi: Realizova ëndrrën, tani dua grupet e Champions-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2015 | 16:55

Shkëmbi: Realizova ëndrrën, tani dua grupet e Champions-it

shkembiBledi Shkëmbi do të mbahet mend gjatë si kapiteni i rekordeve. Pas pesë titujve radhazi kampionë, tashmë Skënderbeu i tij ka siguruar edhe në fazën e grupeve të Ligës së Europës. As vetë ai nuk e kishte menduar që në këtë moshë të shkonte kaq larg me Skënderbeun e tij, madje sikundër e pranon edhe vetë po përjeton rininë e dytë. Gjatë intervistës së dhënë për “Super Sport” në fundin e takimit me Milsamin, 36-vjeçari e sheh më shumë se të mundshme edhe kualifikimin për në grupet e Champions-it, por për të realizuar këtë ai mendon se u duhet shumë fat në short.

Pesë vite më parë iu bashkuat Skënderbeut, tashmë keni hedhur këtë hap historik. E kishte menduar këtë arritje Bledi?

Para 5 viteve mendonim të dilnim kampionë, po ashtu në vitin e dytë dhe me radhë. Por tani që e kujtoj, mbaj mend që në fillimin e sezonit të kaluar ishte presidenti që ka pasur një siguri, ose “fiksim” më mirë që ne do të shkonim larg edhe në Europë. Nuk e diskutoj që kemi pasur edhe fat shumë të madh në short, nuk është vetëm meritë e jona dhe kjo nuk diskutohet. Emocionet dhe gëzimi që ndiej tani janë shumë të larta, pasi po bëjmë histori në Europë dhe jo vetëm në kampionatin shqiptar.

Sekreti i rinisë së dytë, cili është?

Mendoj se sekreti është ky ekip, Shkëmbi është që ky që është, pasi është ky grup dhe këtë e them me sinqeritet.

Siguruat Ligën e Europës, por nëse kaloni edhe “play off”-in iu pret një tjetër ëndërr. Sa e mundshme është?

Patjetër që është e mundur. Kjo që kemi realizuar deri më tani nuk është bërë nga askush dhe, për këtë, ndihemi krenarë. Jo më kot unë mendoj gjithmonë që në futboll hyjnë në histori lojtarët dhe ekipet që kanë rezultatet. Dhe ne, pasi i arritëm këto, jemi futur në histori jo vetëm si klubi që fitoi 5 tituj radhazi, por si ata që janë futur në grupet e një kompeticoni europian. Sa i përket “play off”-it, të presim shortin një herë dhe uroj që ky fat që kemi pasur këtë vit, të vazhdojë të na ndjekë. Nëse ndodh kështu, jam i bindur se do të bëjmë dy ndeshje të tjera shumë të mira. Nuk i dihet, ëndrra mund të vazhdojë…

Cilën skuadër prisni në “play off”?

Pavarësisht shortit, edhe nëse na qëllon ndonjë emër i madh, kam bindjen se çdo kundërshtar do ta ketë të vështirë me ne. Megjithatë, unë do preferoja jo një ekip shumë të fortë, por një që të jetë i nivelit tonë dhe që dueli të jetë i barabartë. Por, në të gjitha kushtet, ne jemi gati për t’u ndeshur me këdo.

Salihi vazhdon të shënojë, çfarë komplimenti do të shtoni për këtë lojtar?

E kam thënë se ai është një lojtar që arrin t’i shënojë golat shumë thjesht, aftësi që pak kush e ka. Unë personalisht nuk kam parë asnjë si ai, që të realizojë me kaq lehtësi.

Na e zbuloni pak sekretin e tatuazhit që keni në pulpën e këmbës?

Unë s’kisha bërë kurrë tatuazhe, por këtë vit vendosa që të bëja dy të tillë: numrin 10 dhe emrin e vajzës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"