Shkëmbi me “luksin” e përzgjedhjes, Arapi me një mungesë. Ja formacionet e mundshme në Dinamo-Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2021 | 11:50

Shkëmbi me “luksin” e përzgjedhjes, Arapi me një mungesë. Ja formacionet e mundshme në Dinamo-Teuta

Për ndeshjen e sotme me Teutën, trajneri Bledi Shkëmbi do të ketë në dispozicion edhe Edis Maliqin e Lancinet Sidibenë, dy lojtarët që munguan në Laç për shkak kartonësh.

dinamo teuta

Maliqi pritet ta nisë titullar, duke i dhënë mundësinë Siljanovskit të kalojë në mesfushë, aty ku do të luajnë edhe Demiri e Ali Samake. Mbrojtja do të plotësohet nga të zakonshmit Sofranak, Imami dhe Isaevski, ndërsa në portë do të jetë sërish Bakaj. Kapiteni Ibraimi dhe Mihana do të luajnë pas shpinës së sulmuesit të vetëm, Çinedu.

Sidibe, një nga titullarët e rëndësishëm të bluve, nuk është ende gati për të luajtur nga minuta e parë. Ndërkohë, në stol këtë herë alternativat do të jenë më të shumta.

Pas një kohe të gjatë, në dy ditët e fundit të stërvitjes grupi i futbollistëve të Dinamos ka qenë i plotë, duke qetësuar disi edhe trajnerin Bledi Shkëmbi.

Edhe lojtarët e fundit që kanë pasur dëmtime, si Romeo Harizaj, Patrik Bardhi dhe Romeo Haxhiu, i janë bashkuar grupit në stërvitje, duke e kompletuar atë dhe shtuar në këtë mënyrë zgjedhjet për ndeshjet e radhës.

Më parë me skuadrën janë bashkuar edhe Lancinet Sidibe dhe Mario Gjata. Ky i fundit bëri debutimin në Laç, duke qenë tashmë një armë më shumë për sulmin e dinamovitëve.

Teuta ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen ndaj Dinamos me një seancë të karakterit taktik gjatë paradites së të hënës. Në qytetin e Durrësit ka pasur reshje të shumta dhe ekipi ka ndërruar dje fushë.

Trajneri Arapi ka pasur të gjithë grupin në dispozicion, në një kohë që mungesa e vetme sot ndaj Dinamos do të jetë ajo e Asion Dajës për shkak kartonësh. Një lajm i mirë për Arapin është fakti se rikthehet pas shlyerjes së pezullimit titullari i mesfushës, Albano Aleksi.

Arapi pritet t’i japë sërish besimin në masën 90% formacionit që përdori në ndeshjen e tij debutuese si trajner i Teutës. Në stërvitjet e fundit që ka zhvilluar, Arapi ka lënë të kuptohet se përveç rikthimit të Aleksit si titullar, nuk do të ketë asnjë ndryshim tjetër nga ndeshja e fundit.

Në fakt, reparti i mbrojtjes ka pasur jo pak dilema, me disa lojtarë që kanë shfaqur formë jo të mirë. Shpesh gjatë seancave të fundit është provuar si titullar edhe Kotobelli, paçka se për krahun e majtë të mbrojtjes ka më shumë shanse të luajë Xhekson.

Dyshja e qendrës Ivanoviç-Selmani është e sigurt për momentin, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë ndryshimi në minutat e fundit.

DIN

TEU

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"