Sherr në fushë, Ikardi kërkon falje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2015 | 14:09

Sherr në fushë, Ikardi kërkon falje

ikardiDerbi i Italisë dhuroi spektakël, gola dhe shumë… zënka. Përveç pakënaqësive që kishin ekipet përballë gjyqtarit, spikati edhe ajo mes dy italo-argjentinasve të Interit. Dani Osvaldo dhe Murito Ikardi e Lukas Podolski në sfond u kthyen në protagonistë me atë zënkë që u evitua në kohë nga Fredi Guarin. Po aq i nevrikosur me sjelljen e Ikardit ishte edhe gjermani që ashtu si Osvaldo, bëri disa metra sprint për t’i dhënë mundësi zgjedhjeje të riut që në vend që të pasonte topin, e goditi vetë atë duke e dërguar shumë larg kuadratit të Bufonit e duke i çuar dëm Interit një shans të artë për të shënuar golin e avantazhit.

Gëzim dhe falje – “Guarin më kaloi topin shumë bukur dhe unë nuk u mendova shumë dhe e godita menjëherë”. Mauro Ikardi e komentoi kështu golin e pestë që i shënoi Juves në pesë përballjet që ka pasur deri më tani me “Zonjën e vjetër”. Bomberi argjentinas është një mace e zezë për ekipin piemontez që është ndëshkuar plot 3 herë në “Juventus Stadium” prej 21-vjeçarit që pas një asisti të Poldit, humbi një shans të artë për të hidhëruar juventinët. Ndërsa sa i përket polemikës me Osvaldon, Ikardi tentoi që të ulte tonet.

“Zënka me Osvaldon? Brenda fushës ndodh gjithçka, ndërsa jashtë saj ju them se çdo gjë është mirë. E pranoj, gabimi ishte i imi pasi tentova që të godisja vetë topin”, u justifikua Ikardi për egoizmin e tepruar që tregoi në fushë. “Kjo ishte një ndeshje që edhe mund ta kishim fituar. Më vjen shumë keq nuk arrita të shfrytëzoja edhe një tjetër rast që kisha për shënuar gol”, iu referua 21-vjeçari episodit kur çoi dëm asistin perfekt të Podolskit.

Prapaskena – Ashtu siç u vu re qartë, shumë i mërzitur nga egoizmi i treguar prej Ikardit ishte Osvaldo. Bomberi që ka ardhur në formë huazimi prej Sauthemptonit, nuk ka fshehur bezdinë nga sjellja e Ikardit edhe përballë trajnerit. Në momentin kur Mançini i ka tërhequr vëmendjen Osvaldos duke i thënë se duhej që të kthehej në mbrojtje, sulmuesi i është përgjigjur: “Përse nuk flet me atë (duke iu referuar Ikardit) që nuk di të luajë futboll?!”. Edhe pse kishin kaluar disa minuta nga ai episod, Osvaldo dukshëm i mërzitur u largua nga fusha e lojës menjëherë sapo arbitri vërshëlleu tri herë bilbilin duke sinjalizuar edhe fundin e kësaj supersfide.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"