Sfida ndaj Erzenit plot “kurthe”, renditja detyron Partizanin të fitojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2022 | 10:46

Sfida ndaj Erzenit plot “kurthe”, renditja detyron Partizanin të fitojë

Partizani luan nesër në orën 15:45 një ndeshje të rëndësishme ndaj Erzenit, që përcakton shumë mbi renditjen e ekipeve, por edhe mbi forcën e të dyja skuadrave, veçanërisht të të kuqve, që janë ekip më pretendent, por kanë shfaqur herë pas here luhatje.

PARTIZANI 1

Pritej të vinte pa probleme, por edhe këtë herë Partizani do të zbresë në fushë pa një prej lojtarëve kryesorë.

VIKTOR DA SILVA – Që në fillim kishte një debat mbi aspektin fizik dhe personalitetin e Da Silvës dhe javë pas jave po shohim të dalë fjala e kritikëve të transferimit të tij.

Thuajse pas çdo ndeshjeje braziliani reklamon probleme fizike, teksa aktualisht nuk luan prej një muaji e 10 ditësh, që nga ajo përplasje me Alen Sherrin në ndeshjen ndaj Egnatias, të cilën “demat” e humbën me shifrat 3-0.

Në fazën përgatitore Da Silva u stërvit disa ditë normalisht, por më pas shfaqi sërish shqetësime. Prej disa ditësh ai nuk është paraqitur në stërvitje me skuadrën, teksa nuk dihet ende saktësisht kur mund të kthehet. Situata e brazilianit vijon të jetë e paqartë, teksa në momentet kur skuadra ka nevojë për të, ai nuk po duket.

TELUSHI – As mesfushori nga Vlora nuk është paraqitur në dy ditët e fundit në stërvitje me Partizanin.

31-vjeçari mësohet se nuk ka pësuar ndonjë dëmtim, por nga klubi bëjnë me dije se ai ka marrë dy ditë leje për arsye personale dhe sot do të kthehet në stërvitje. Gjithsesi, mbetet për t’u parë gatishmëria e tij për ndeshjen e nesërme.

ÇËSHTJE PIKËSH – Mund të duket e çuditshme, por renditja tregon se Erzeni është një nga kundërshtarët direktë të Partizanit. Në rast të fitores në ndeshjen e nesërme, shijakasit i parakalojnë të kuqtë në renditje, madje kthehen përkohësisht në krye dhe presin ndeshjen e Tiranës. Kjo situatë tregon kompleksitetin e këtyre 90 minutave.

TEST KARAKTERI – Partizani vjen pas një fitoreje me Bylisin në ndeshje zyrtare dhe nesër duhet të tregojë se është një skuadër që di të ketë vazhdimësi dhe të tregojë se mund të luftojë për titullin kampion.

Gjithashtu, një tjetër hap fals (i tillë mund të quhet edhe barazimi) ndaj shijakasve do të tregonte dobësi të të kuqve.

PAR (1)

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"