Sezoni më i dobët në histori? Ten Hag braktis konferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2024 | 19:42

Sezoni më i dobët në histori? Ten Hag braktis konferencën

Erik ten Hag ndërpreu i zemëruar konferencën për shtyp kur iu kujtua se skuadra e tij rrezikon të vendosë një rekord të turpshëm në Premier Ligë këtë sezon.

ten hag

Trajneri holandez pa skuadrën e tij që të bëjë një tjetër paraqitje jo në lartësinë e duhur në barazimin 2-2 kundër Bornmëthit, pas së cilit ai u shpreh se skuadra e tij nuk meritonte më shumë. “Ne jemi në fazën finale të sezonit dhe kjo nuk mjafton. Por e vërteta është se sot ne nuk merituam më shumë”, tha trajneri 56- vjeçar pas ndeshjes.

Rezultati i radhës bëri që “djajtë” të humbnin mundësinë për të ngushtuar diferencën në garën për një vend në katër pozicionet e para që të dërgojnë automatikisht në Ligën e Kampioneve. Dhe më keq akoma, pasi Njukasëlli mposhti Totenhemin 4-0 këtë fundjavë, Mançester Junajtid zbriti në vendin e shtatë. Ten Hag u përball me shtypin pas ndeshjes kundër “qershive”, por nuk e ruajti dot qetësinë pas vërejtjes së një gazetari.

Ish-trajnerit të Ajaksit iu drejtua pyetja se nëse Mançester Junajtid do të përfundonte në vendin e shtatë, a do të ishte rezultati më i dobët i klubit ndonjëherë në historinë e Premier Ligës? Por Ten Hag, pasi dëgjoi i bezdisur pyetjen, u ngrit nga karrigia e tij, përpara se të thoshte:

“Unë nuk komentoj. Kjo nuk është e rëndësishme në këtë moment”. Jo më larg se në fundjavë, “The Sun” raportonte se lojtarët e Mançesterit kanë kuptuar nga sjellja e trajnerit se Ten Hag do të largohet në fund të sezonit nga stoli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"