Sezoni i ri tek Partizani, “demat” varen nga sfidat me sllovenët e Mariborit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 20:43

Sezoni i ri tek Partizani, “demat” varen nga sfidat me sllovenët e Mariborit

Partizani e ka nisur punën për sezonin e ri futbollistik më 16 qershor, ku si fillim gjithçka shkon në funksion të pjesëmarrjes në turin e parë kualifikues të Ligës së Europës. Shorti i ka vënë “demat” përballë një kundërshtari të fortë si Maribori, i cili për shumë arsye është më favorit se skuadra e trajnerit Skënder Gega.

partizanii

Që ditën e parë, kur drejtori Olsi Rama prezantoi trajnerin Gega, u tha se qëllimi i Partizanit është që të përfaqësohet sa më denjësisht në Europë, ndërsa synimet madhore lidhen me trofetë në kompeticionet vendase, kampionati dhe Kupa e Shqipërisë. Përgatitjet e Partizanit për sezonin e ri varen edhe nga ecuria që skuadra do të ketë në dy përballjet me sllovenët. Më 12 korrik e presin Mariborin në “Selman Stërmasi”, ku shpresohet të merret një rezultat që t’i lërë me shpresë për takimin e kthimit që luhet pas një jave në Slloveni.

Skuadra e trajnerit Skënder Gega zhvilloi një minifazë përgatitore 10-ditore në Ohër për dy ndeshjet me Mariborin, ku luajtën edhe një miqësore. E ardhmja e përgatitjeve të “demave” lidhet direkt me rezultatin që do të arrijnë ndaj Mariborit në turin e parë të Ligës së Europës. Nëse të kuqtë kualifikohen, i bie që skuadra të vijojë me përgatitjet në kryeqytet dhe me afrimin e ndonjë elementi cilësor për turin në vazhdim.

Në të kundërt, në rast eliminimi, skuadra mund të pushojë pak dhe më pas të nisë një fazë intensive përgatitore jashtë vendit për rreth 20 ditë. Kryeqytetasit kanë kryer disa afrime në merkaton aktuale, por ky proces nuk quhet i përfunduar, pasi afrimet dhe largimet e radhës pritet të ndodhin pas përfundimit të dy ndeshjeve me Mariborin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"