5 gola në 4 ndeshje, Salihi: Ky, momenti i shqiptarëve!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 22:44

5 gola në 4 ndeshje, Salihi: Ky, momenti i shqiptarëve!

salihiHamdi Salihi nuk di të ndalet. Dje ka shënuar sërish dhe tashmë është në kuotën e 5 golave për 4 ndeshje. Është jo vetëm golashënuesi më i mirë i Skënderbeut, por edhe i Champions-it deri në këtë fazë. Shkodrani është në delir, ndonëse e ardhmja e tij vazhdon të mbetet mister. Nuk dihet nëse do vazhdojë të jetë në Korçë pas “play off”- it, ndonëse vetë lojtari konfirmon se, pas një muaji, do të vendosë përfundimisht.

Për “bomberin”, ndeshja e djeshme thjesht përmbylli misionin e nisur në Moldavi, edhe pse pranon që në momente ekipin e zuri “euforia”. “Ekipi tregoi maturi. Mbyllëm me sukses atë çka nisëm një javë më parë në Moldavi. Në fakt, patëm disa momente të vështira, kjo edhe prej rezultatit. Është disi e vështirë që të jesh totalisht i përqendruar, kur rezultatin e ke në favor.

Edhe sot (dje) na kapi një lloj euforie pas kartonit të kuq që iu dha kapitenit të Milsamit, si dhe pas golit të parë. Megjithatë, e rëndë- sishme është që ne mbaruam atë që nisëm në Kishiniev dhe për këtë jam jashtëzakonisht i lumtur”, tha fillimisht shkodrani. Më tej Salihi evidenton se ky është momenti i futbollit shqiptar. “Ne në Europë, ndërsa Shqipëria e 22-ta në renditjen e FIFA-s. Jam i kënaqur, ashtu siç çdo shqiptar! Kjo tregon rritjen e futbollin tonë.

Shpresoj që ky moment i mirë të vazhdojë sa më gjatë”, shtoi sulmuesi i bardhekuqve. Në fund lojtari, kur pyetet për të ardhmen, edhe pse jep sinjale të forta qëndrimi, sqaron se gjithçka do të vendoset pas 1 muaji, pra fill pas ndeshjes së “play off”-it. “E kam thënë edhe më herët që, nëse arrijmë në grupe si të Europa League apo Champions League, e di që e kam një portë të hapur në Korçë. Por ka edhe një muaj kohë dhe, më pas, do të shohim se çfarë do të bëjmë, bashkë me stafin dhe drejtuesit do të vendosim edhe për të ardhmen time”, përfundoi autori i 5 golave me Skënderbeun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"