Sakrifica e Vllaznisë, klubi paguan për kthimin e Hakajt. Pezullimi shlyhet duke derdhur gjobën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2024 | 17:50

Sakrifica e Vllaznisë, klubi paguan për kthimin e Hakajt. Pezullimi shlyhet duke derdhur gjobën

Mungesa e Ardit Krymit për shkak kartonësh në ndeshjen e nesërme ndaj Erzenit ka prishur planet e trajnerit Qatip Osmani, të cilit në takimet e fundit i është dashur edhe të improvizojë me formacionin, pasi mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, ka munguar dhe në vend të tij është aktivizuar një lojtar mesfushor si Esat Mala.

HAKAJ

Mirëpo, “Panorama Sport” mëson se klubi shkodran ka bërë një sakrificë financiare, duke paguar për dënimin e Hakajt në FSHF. Kësisoj, dy ndeshjet e mbetura për t’u shlyer prej pezullimit nga disiplina, janë konvertuar tashmë me gjobë.

Hakaj është arma plus e Vllaznisë në transfertën e nesërme dhe prandaj gjasat janë që vendin e Krymit në mesfushë ta marrë Mala, i cili bashkë me Alivodën dhe Boshnjakun, do të formojnë këtë repart. Lajm i mirë për shkodranët është edhe rikthimi i qendërmbrojtësit kroat, Marko Juriç, i cili ka shlyer pezullimin për kartonë.

TITULLARËT –

Rikthimi i Juriçit dhe Hakajt për sfidën ndaj Erzenit dhe mungesa e Krymit për arsye kartonësh, do të sjellë lëvizje të detyruara në formacion. Me Qarrin në portë, mbrojtja do të jetë me Smajlin në të djathtë dhe Hakajn në të majtë. Në qendër të këtij reparti do të luajnë Stojanoviç dhe Juriç, me këtë të fundit që është në balotazh me Pusin për një vend titullari. Qëndra e mesfushës do të përbëhet nga Boshnjaku, Alivoda dhe Mala. Gjasat janë që të luhet me skemën 4-2-3-1, teksa Çoba dhe Gruda nga krahët, do të mbështesin Balajn në majën e sulmit.

ADMIR URUÇI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"