Sakaj paralajmëron kundërshtarët: Edhe Oriku, pretendent për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2019 | 19:39

Sakaj paralajmëron kundërshtarët: Edhe Oriku, pretendent për elitën

Ka plot dy javë që Oriku ka nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Trajneri 38-vjeçar, Artan Sakaj, dhe ndihmësi tij Halim Begaj po e “shtrydhin” skuadrën fort me dy seanca në ditë për t’i dhënë ngarkesën e duhur. Ruajtja e grupit të sezonit kaluar, por edhe mundësia e afrimit të dy–tre futbollistëve cilësorë bën që trajneri Sakaj ta shpallë hapur objektivin, kur thotë: “Do të jemi pretendentë”.

Sakaj-Orikumi

Sakaj, në çfarë faze jeni me përgatitjet për sezonin e ri?

Skuadra jonë ka dy javë që ka nisur nga përgatitjet. Stërvitemi dy herë në ditë, duke alternuar ngarkesat fizike me veprimet me topin. Ndihem mirë që futbollistët që kam në dispozicion janë të angazhuar në maksimum.

Keni zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me Bylisin?

Po, ishte ndeshja e parë miqësore e programuar për këto përgatitje dhe do të zhvillojmë dhe shumë ndeshje të tjera për t’u kolauduar. Ditën e premte kemi programuar një miqësore me Apoloninë në fushën tonë.

A kanë menduar drejtuesit e klubit për t’i zhvendosur përgatitjet jashtë Vlorës?

Është rënë dakord që pas dy javëve përgatitje këtu, të zhvendosemi në Pogradec, ku do të kemi më shumë mundësi për ndeshje miqësore, që do të na shërbejnë në përmbushjen e programit stërvitor.

Keni largime nga skuadra e sezonit kaluar?

Vetëm dy futbollistëve u ka përfunduar kontrata, Mitres dhe Dulajt. Gjithsesi, kemi afruar disa futbollist të rinj nga ekipet e moshave. Grupi është ruajtur, ku pjesë e tij është edhe argjentinasi Gonzales. Kemi menduar të afrojmë në merkato edhe dy–tre futbollistë cilësorë për të formuar një grup kompetitiv.

Sezoni i kaluar ka qenë përvoja juaj e parë si trajner. Jeni i kënaqur?

Të them të drejtën, kam mbresa të mira, sepse skuadra, duke u rreshtuar në vend të tretë në grupin tonë, realizoi një objektiv që kënaq çdo trajner. Ishim skuadër debutuese dhe jemi ballafaquar si të barabartë me çdo kundërshtar, brenda dhe jashtë fushe. Me pak kujdes, mund të kishim kapur edhe vendin e dytë.

Defektet dhe anët pozitive të atij sezoni?

Defekt mendoj se është fakti se kemi qenë të fortë me të fortët dhe të dobët me skuadrat që ishin më poshtë nesh në klasifikim. Pozitive ishte kompaktësia e ekipit dhe fryma e grupit në stërvitje dhe në ndeshje. Këto vlera pozitive do të rriten më shumë sezonin e ardhshëm.

Një mendim për rivalët në grupin tuaj?

Është shpejt për të dhënë një mendim të saktë, sepse të gjithë janë në organizim e sipër. Besa, Apolonia, Lushnja dhe Pogradeci mendoj se do të jenë rivalë të fortë në grupin tonë, por ne bëjmë llogaritë tona dhe mendoj se Oriku do të jetë pretendent, edhe pse gara do të jetë e fortë, me shumë rivalitet.

Keni diçka për të thënë për tifozët tuaj?

Jo vetëm për tifozët e Orikumit, por edhe më gjerë, dua të them që të vijnë në qytetin tonë jo vetëm për të bërë pushimet, por edhe për shijuar futbollin që luan skuadra jonë.

Moisi Dalipi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"