Sadiku, 6 muaj jashtë fushave

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Maj 12, 2014 | 22:04

Sadiku, 6 muaj jashtë fushave

Sadiku ne spitalGoditje e rëndë për Zyrihun dhe Kombëtaren shqiptare. Armando Sadiku nuk do të zbresë në fushën e lojës, të paktën për 6 muajt e ardhshëm. Shkak është bërë një dëmtim i rëndë që sulmuesi ka pësuar në ndeshjen e fundit të Zyrihut ndaj St.Galenit. Sipas informacioneve, Sadiku ka këputur ligamentet e gjurit dhe do t’i nënshtrohet një operacioni. Rikuperimi i tij do të jetë një proces që do të zgjasë më shumë se 6 muaj (pa futur këtu edhe kohën që do të duhet derisa lojtari të mund të riintegrohet në skuadër, çka të shtyn të besosh se sulmuesi mund të jetë gati vetëm në fillim të vitit tjetër). Sipas uebsajtit të klubit të Zyrihut, sulmuesi do të operohet, këtë javë nga Dr.Jose Romero në klinikën “Hirslanden”, një nga më të mirat dhe të specializuarat për trauma të këtij lloji. Sadiku e nisi takimin e së shtunës (Zyrih-St.Galen 2-2) nga stoli dhe u hodh në fushë vetëm në minutën e 70-të në vend të Etoundit. Por, vetëm 9 minuta më pas, sulmuesi u detyrua të linte sërish fushën (në fund në lojë Shermiti), pasi dëmtoi gjurin dhe doli nga fusha me ndihmën e mjekut dhe fizioterapistit. Sadiku u pa të prekte gjurin me dorë, pas një përplasje në pamje të parë të lehtë që pati me një lojtar kundërshtar. Më pas ai kërkoi ndërprerjen e lojës dhe futjen e mjekëve në fushë. Që në momentet e para u vërejt se bëhej fjalë për një dëmtim të rëndë, por gjithsesi askush nga klubi nuk nxitoi që të jepte deklarata në lidhje me gjendjen shëndetësore të sulmuesit shqiptar. Vetëm ditën e djeshme, pasi u bënë edhe analizat dhe kontrollet përkatëse, u qartësua diagnoza: këputje e ligamentit të gjurit të djathtë. Sadiku kaloi zyrtarisht te Zyrihu në janar të këtij viti, bisedimeve të suksesshme që u arritën me Luganon (ishskuadrën e tij). Në elitën e futbollit zviceran, sulmuesi i Kombëtares e pati të vështirë që të fitonte menjëherë vendin e titullarit, por gjithsesi ka luajtur në 15 ndeshje, nga ku vetëm tri herë si titullar për një total prej 397 minutash lojë. Sakaq, duhet thënë se lajmi i dëmtimit të Sadikut i hap telashe edhe trajnerit të Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, i cili ka kohë që e etiketon sulmin si më problematiku në skuadrën që drejton. Në këtë këndvështrim, italiani do të ketë një lojtar më pak në këtë repart që do t’i besojë, si sa u përket ndeshjeve miqësore të qershorit, por edhe ato të startit të kualifikimeve për Europianin e 2016-ës në shtator.

Dëmtimet më të rënda të kuqezinjve
Kjo nuk është hera e parë që një lojtar i rëndësishëm i Kombëtares shqiptare pëson një dëmtim të rëndë. Duke marrë parasysh vetëm dy vitet e fundit, po sjellim në vëmendje dëmtimet më problematike që kanë pësuar kuqezinjtë.
27 janar 2012 – Debatik Curri pëson një tjetër dëmtim të rëndë (kishte pasur një problematikë në 2010-ën), në ndeshjen e përfunduar 2-2 të ish-skuadrës së tij Gençlerbiligu ndaj Bursasporit në Turqi. Mesfushori kuqezi dëmtoi gjurin e këmbës së djathtë, pas një dueli me një kundërshtar dhe u detyrua të qëndronte larg fushave për më shumë se 6 muaj.
3 shkurt 2013 – Gjatë miqësores midis Zyrihut dhe Belizonës, pas përplasjes me një kundërshtar, Burim Kukeli pëson një dëmtim “horror”. Ai thyen këmbën dhe përfundoi gati pa ndjenja në spital. Kukeli sapo ishte afruar në Kombëtare dhe kishte bërë disa ndeshje shumë të mira. Ndërkohë, pas operacionit të parë, lojtari ka bërë të njëjtën gjë edhe dy herë të tjera dhe sot nuk është rikuperuar ende plotësisht.
12 maj 2013 – Dëmtohet rëndë Alban Meha. Lojtari pësoi një përplasje në ndeshjen e Paderbornit ndaj Mynih 1860, duke dëmtuar meniskun e gjurit të majtë. Fantazisti u operua dhe arriti të rikthehej në kohë rekord, aq sa nisi të luante rregullisht në fund të shtatorit 2013.
5 maj 2014 – Dëmtohet rëndë Ledian Memushaj. Mesfushori i Kombëtares shqiptare këput ligamentet e gjurit të djathtë në ndeshjen e fundit të Karpit ndaj Peskarës dhe pas rezonancës është vendosur që ai të operohet. Lojtari ishte në një formë të shkëlqyer, teksa shënoi edhe 8 gola për Karpin gjatë këtij kampionati. Tashmë ai do të jetë i detyruar të qëndrojë të paktën 6 muaj larg fushave.

Gjasula dhe Rama bëjnë gati valixhet
Jurgen Gjasula dhe Valdet Rama, me shumë gjasa, do të largohen nga skuadrat e tyre në fund të këtij edicioni. Edhe ditën e djeshme Gjasula nuk u grumbullua nga trajneri i Liteksit, Miodrag Jesiç, në fitoren 5-0 të kësaj skuadre në transfertë ndaj Lokomotiv Plodviv. Fantazisti nuk shihet më si pjesë e planeve të trajnerit serb, ndaj nisur edhe nga informacionet nuk do t’i rinovohet kontrata edhe për edicionin tjetër në Bullgari. E njëjta situatë pak a shumë edhe në Spanjë te Valadolidi, ku luan Valdet Rama. Mesfushori i avancuar i Kombëtares shqiptare ka më shumë se një muaj që nuk luan një ndeshje me këtë skuadër dhe për më tepër nuk grumbullohet as në 18-she. Lojtari kosovar me pasaportë shqiptare është kërkuar para pak kohësh edhe nga Beshiktashi në Turqi dhe me gjasa bisedimet me drejtuesit e këtij klubi do të vijojnë gjatë merkatos së verës.

Cana: Çudi si humbëm me Interin
Lorik Cana e ka parë si shumë të çuditshme humbjen e Lacios ndaj Interit. “Ishte një humbje shumë e çuditshme. Interi erdhi tri herë te porta jonë dhe na shënoi tre gola. Kur ishim në barazim 1-1 mund të kishim shënuar ne, por gabuam dhe më pas Interi shfrytëzoi si duhet raste që iu dhanë. Provuan disa herë të rikthejmë rezultatin, por ishte e pamundur”, – ka pohuar Cana. Kapiteni i Kombëtares dhe mbrojtësi Dias kanë qenë ndër më të dobëtit (duke parë vlerësimet) në humbjen e së shtunës.
LEONARD KARAJ





www.minuta90.com