Rritet tensioni në Grupin B të Kategorisë së Dytë, Pogradeci iu druhet “aleancave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 15:56

Rritet tensioni në Grupin B të Kategorisë së Dytë, Pogradeci iu druhet “aleancave”

Pogradeci është futur në fazën më të ethshme të kampionatit dhe përpara e presin tri ndeshje delikate, nga të cilat dy i ka jashtë fushe, përkatësisht me Butrintin dhe Delvinën, si dhe një në shtëpi me Labërinë.

Pogradeci stervitje

Në klubin liqenor kanë pasur jo pak rezerva për mënyrën se si po shkon gara dhe për më tepër rivalitetin me Luftëtarin. Ka qenë vetë trajneri Samuel Nikaj, që ka dyshuar se gjirokastritët kanë më shumë aleanca. Sipas pretendimet të trajnerit, ekipet e jugut luajnë fortë kundër Pogradecit, duke favorizuar kështu Luftëtarin në luftën për t’u ngjitur direkt.

Gjithsesi, të dielën liqenorët luajnë në Sarandë kundër Butrintit vendës, një skuadër që vlerësohet shumë nga Nikaj, në një kohë që lufton për zonën “play off”. Pogradecin e pret një transfertë delikate dhe një tjetër hap fals do të vështirësonte shumë pozitat, duke pasur parasysh që kundërshtari për kreun, Luftëtari, pret këtë javë Këlcyrën që nuk ka marrë asnjë pikë.

REDI DANDALLAKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"