Rrëfimi unik i Dean Liços: Imitoj Ronaldinjon, e shënoj penalltinë tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2023 | 20:58

Rrëfimi unik i Dean Liços: Imitoj Ronaldinjon, e shënoj penalltinë tjetër

Dean Liço është lojtari i momentit te Skënder beu. Fantazisti korçar ka arritur një formë të mirë këtë fillimsezoni duke udhëhequr mesfushën dhe duke qenë një pikë referimi në lojën e skuadrës. Korçari bëri gjithçka mirë edhe ndaj Partizanit duke fituar me shumë zgjuarsi penalltinë e kthyer në gol nga Rashica.

lico

Në një prononcim ekskluziv të dhënë për “Panorama Sport”, fantazisti i Skënderbeut flet për momentin që po kalon dhe ëndrrën për të kapur nivelet e larta. Nuk mungon një koment për penalltitë e humbura me Erzenin dhe mbi të gjitha marrëdhënien me babain, që e ka edhe trajner. Kujtojmë që Liço kaloi një sezon me Partizanin, pa mundur të lërë shenjë.

Dean, një fitore me vlera ndaj Partizanit. I kënaqur?

Normal që ndihemi të kënaqur. Ishte një ndeshje shumë e fortë ndaj një ekipi rival si Partizani, që është edhe kampioni në fuqi. Jemi të lumtur që kemi arritur të marrim një fitore të rëndësishme në këtë takim. E kishim vlerësuar mirë ndeshjen dhe kundërshtarin dhe mendoj se kemi pasur qasjen e duhur në fushë për të dalë me pikët e plota nga kjo ndeshje.

Fituat penallti ndaj Partizanit, por nuk e morët përsipër ta godisni. Pse kjo zgjedhje?

Në fakt penalltia ka qenë një zgjedhje e trajnerit për ta goditur Rashica. Në momentin kur unë e fitova penalltinë u afruam te trajneri, që më pyeti nëse jam i qetë për ta goditur. Unë u shpreha se isha i gatshëm, por duke biseduar edhe me Rashicën, u tërhoqëm edhe nga fakti që ai që fiton penalltinë, nuk duhet ta godasë, pasi ka presion. Mendoj se ishte zgjedhje e mirë, pasi Rashica e ekzekutoi pastër, duke na dhënë tri pikët.

Si u ndiet pas atyre dy penalltive të humbura ndaj Erzenit?

Unë kam shumë besim te vetja, edhe pse gabova në dy penallti me Erzenin. Jam i bindur që penalltinë e radhës do ta shënoj gol. Ai episod me Erzenin më shumë ka qenë çështje nxitimi, sesa mungesë saktësie. U nxitova dhe nuk arrita të shënoj në dy tentativa. Por ajo që është e rëndësishme për të gjithë ne, është rezultati dhe jam i lumtur që ia kemi dalë të fitojmë.

Mund ta quajmë hakmarrje ndaj Partizanit këtë fitore?

Nuk preferoj ta quaj hakmarrje. Unë jam pjesë e Skënderbeut dhe do të jap gjithmonë maksimumin për këtë fanellë. Si kundër Partizanit, ashtu edhe kundër çdo ekipi, do të mundohem të bëj maksimumin. Kështu që për mua ishte ndeshje e radhës dhe vetëm kaq.

Tani që jeni këtu, e mendoni çfarë nuk shkoi te Partizani?

Nuk preferoj të komentoj asgjë. Gjithçka është e kaluar tashmë dhe jam i përqendruar vetëm tek e tashmja dhe te Skënderbeu.

Si ndiheni te Skënderbeu? A e shihni si trampolinë?

Ndihem shumë mirë edhe për faktin se kam arritur formën time më të mirë këtu dhe po e shijoj shumë këtë moment. Shpresoj që të zgjasë sa më shumë dhe të arrij objektivat e mi me këtë fanellë. Normalisht që ëndrra ime është të rikthehem në elitën e futbollit europian dhe mendoj se Skënderbeu është ambienti i duhur për ta bërë diçka të tillë.

Si është të kesh babanë zëvendëstrajner? A të krijon presion ky fakt?

Në fakt është një detaj që i ka të dyja ndjesitë. Është njëfarë presioni dhe duhet të dish ta menaxhosh. Duhet të jesh më i qetë. Edhe për atë është e vështirë, pasi mundohet të më japë mua më shumë këshilla, për të mos lënë shije të keqe tek ekipi. Është çështje menaxhimi dhe përpjekje për të bërë punën siç duhet. Nga ana tjetër është diçka e bukur, pasi nuk rastis shpesh që të kesh babanë në pozicionin e trajnerit. Prandaj po mundohem ta shijoj, por duke qëndruar korrekt gjithashtu.

Çfarë ju tha trajneri pas humbjes së dy penalltive?

Trajneri nuk më tha asgjë, vetëm më këshilloi që të isha më i qetë dhe ta menaxhoja më mirë atë situatë. Thjesht duhet të kishim mbyllur ndeshjen më shpejt për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit që të reagojë dhe të hapë ndeshjen. Pata besimin e tij të plotë.

Kush është idhulli juaj në futbollin botëror?

Idhull nuk mund të them me saktësi. Normalisht do të them Mesin, pavarësisht se nuk më përshtatet si mënyrë loje. Por edhe Ronaldinjon, që e kam ndjekur që i vogël dhe jam munduar ta imitoj në lëvizje.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"