Rilindja e Apolonisë nis nga paraqitja e sulmit, në Elbasan për vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 15:50

Rilindja e Apolonisë nis nga paraqitja e sulmit, në Elbasan për vazhdimësinë

Rilindja e Apolonisë nis nga sulmi. Nëse fierakët janë rifutur në garë për të pretenduar katërshen e parë në renditje, e gjitha kjo vjen në sajë të paraqitjes pozitive të këtij reparti. Gjëja e parë që ka bërë trajneri Artan Mërgjyshi ka qenë rregullimi i shënjestrës në sulm dhe duket se deri tani ia ka dalë më së miri. 

Apolonia grumbull 9

Në tri ndeshjet e fundit që kanë fituar, fierakët ia kanë dalë të shënojnë 6 gola. Duke nisur nga starti i fazës së tretë me Kastriotin, ku fituan 2-0, për të vijuar me fitoren 2-1 përballë Tomorit dhe së fundmi mposhtën Vorën në shifrat 2-1. Sipas shifrave, nga katër fitoret që ka koleksionuar deri tani Mërgjyshi, tre prej tyre kanë ardhur duke shënuar më shumë se një gol. Për të vërtetuar “shënjestrën” e fierakëve, përfshihen edhe katër barazimet me gola, konkretisht në shifrat 1-1, ku në dy prej tyre, fierakëve u ka ikur fitorja nga duart nga gabimet individuale në mbrojtje.

Me pak fjalë, Mërgjyshi dhe Apolonia e kanë të qartë mënyrën se si mund t’ia dalin këtë sezon, ku duhet të shënojnë rregullisht dhe kështu do të kenë më shumë shanse për të fituar dhe për të qenë pjesë e katër ekipeve më të mira të kampionatit. Të shtunën, Apolonia do të jetë mysafire në Elbasan dhe do të përballet me kryesuesit. Mund të konsiderohet si kundërshtari që i ka bërë më shumë dëme këtë sezon, sepse në dy faza i ka marrë gjashtë pikët e plota. Jo vetëm kaq, por edhe i ka shënuar 4 gola, duke treguar se për fierakët nuk do të jetë një mision i lehtë marrja e pikëve dhe për më tepër vazhdimësia e rezultateve pozitive.

Për këtë sfidë të rëndësishme, trajneri Mërgjyshi ka më shumë kohë në dispozicion për ta përgatitur. Ai ka studiuar gjerësisht dy përballjet e kaluara për të parë se ku ka “çaluar” ekipi. Edhe pse përballen dy ekipe me diferencë të konsiderueshme pikësh, në Fier duan të shfrytëzojnë momentin e mirë që po kalojnë, duke shpresuar te marrja e pikëve dhe vazhdimësia. Apolonia e kanë të qartë se për arritjen e katërshes së parë, duhet të mundin edhe dy ekipet, që janë thuajse të ngjitura në Superiore, Elbasanin kryesues dhe Bylisin e vendit të dytë.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"