Rikthimi i Martinit, koincidencat e shkodranit me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2021 | 23:40

Rikthimi i Martinit, koincidencat e shkodranit me Teutën

Edi Martini rinisi sot punën me durrsakët pas rikthimit në stolin e kampionëve. Renato Arapi kishte bërë një plan pune që të mërkurën skuadra të ishte pushim dhe kjo u respektua nga Martini, prandaj dhe shkodrani vetëm sot nisi të stërvisë skuadrën në prag të takimit me Tiranën.

EDI MARTINI

Rikthimi i tij në Durrës ka disa koincidenca interesante. Në krye të klubit të Teutës deri me 14 dhjetor 2019 ishte trajner Bledi Shkëmbi. E pas largimit të tij, pra në 15 dhjetor të 2019- ës, në stolin e Teutës u ul Edi Martini, një nga trajnerët që do të bënte historinë në këtë klub së bashku me disa prej lojtarëve më të mirë të futbollit shqiptar. Në vitin e parë në sezonin 2019-2020, nuk ia dalin të shpallen kampionë, por fitues të Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës. Megjithatë, rruga drejt titullit ishte projektuar, pasi vitin e ardhshëm me trajner Edi Martinin, shpallen kampionë.

Për herë të dytë në histori, pas atij të sezonit 1993-1994, titulli kampion shkonte në Durrës. Festimi i titullit në rrugët e qytetit mbahet mend ende nga të gjithë, por nuk mbaroi këtu. Teuta arriti të kalonte edhe ture në Europë dhe fitoi sërish Superkupën e këto ishin dy vitet e arta të Martinit me klubin e Teutës. Me ecurinë jo të mirë gjatë 10 javëve të para, klubi i futbollit Teuta dhe trajneri Martini shkëputën marrëveshjen me këtë të fundit që dha dorëheqjen.

RIKTHIMI – Një vendim i papritur erdhi para dy netësh nga Durrësi. Teuta aplikoi përsëri rokadën në stolin e trajnerit. Arapi ia dorëzon vendin përsëri Edi Martinit. Klubi ka reflektuar në këto javë dhe presidenti Edmond Hasanbelliu ka vendosur përfundimisht të rikthejë trajnerin kampion në krye të skuadrës. Ndërkohë, Renato Arapi do të shkojë përsëri në rolin e drejtorit sportiv. Një vendim ky që vjen si rrufe në qiell të hapur nga klubi durrsak, teksa Arapi ishte duke bërë mirë në debutimin e tij si trajner. Në tri ndeshje që drejtoi Teutën, ish-kapiteni i tyre ka siguruar 2 barazime me Kukësin e Vllazninë dhe një fitore me Dinamon.

TIRANA-TEUTA – Kampionët duan vazhdimësinë. Në “Air Albania” do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 14-të, Tirana-Teuta. “Djemtë e detit” po kalojnë një moment të mirë në kampionat, por tashmë do të synohet të mos humbë ndjeshëm kontaktet me kreun. Në këtë sfidë Teuta sërish nuk do të jetë e plotë, pasi Xhekson mungon për arsye dëmtimi, duke humbur duelin me Tiranën. Teuta nuk është më ajo e sezonit të kaluar në mbrojtje, pasi në këtë edicion ka pësuar 14 gola, 8 prej të tyre në 5 takimet e fundit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"