Rikthehet Edon Hasani, Çela motivon lojtarët në prag të sfidës me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2023 | 17:38

Rikthehet Edon Hasani, Çela motivon lojtarët në prag të sfidës me Vllazninë

Te Kastrioti kanë lënë pas humbjen me Tiranën kryesuese në minutën e 100-të, por me dilemën se nuk kishte ndodhur kurrë më parë që në një takim të Superiores të kishte kaq shumë shtesë.

nmfg,ff

Krutanët “qajnë” shumë episodet e ndodhura, ndërsa janë të pakënaqur me mënyrën se si arbitrat kanë llogaritur shtesën, jo vetëm në fundin e lojës, por edhe në pjesën e parë. Gjithsesi, kjo humbje në kampin krutan nuk është dramatizuar, pasi përballë kanë pasur ekipin e vendit të parë dhe ata u përballën si të barabartë, duke e pësuar vetëm në frymën e fundit. Tashmë skuadra e Emiljano Çelës është fokusuar totalisht te ndeshja me Vllazninë, që do të luhet të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Për fat të mirë, trajneri do të ketë të gatshëm të gjithë lojtarët. Një rikthim shumë i rëndësishëm është mesfushori Edon Hasani, i cili mungoi për shkak kartonësh ndaj Tiranës. Me fantazistin shkodran të gatshëm, Çela pritet të bëjë lëvizje në formacion, duke shpresuar edhe te forma në ngritje e sulmuesit nga Mozambiku, Rexhinaldo.

Në seancën e djeshme, kreu i pankinës ka punuar me një grup të plotë futbollistësh. Fillimisht ai ka pasur një bashkëbisedim me futbollistët, ku i ka përgëzuar ata për shpirtin e lartë të garës të treguar ndaj Tiranës dhe i ka motivuar që të vazhdojnë me kokën lart.

“Me punë dhe shumë përkushtim rezultatet do të vijnë. Do të luftojmë deri në ndeshjen e fundit për ngjyrat e Kastriotit”, ka thënë Çela para lojtarëve, duke u munduar t’i karikojë në prag të ndeshjes së radhës. Pas 22 javësh kampionat, ekipi krutan mbyll tabelën e klasifikimit me 20 pikë, duke qenë gjashtë më pak se vendi i tetë, që të çon në “play out” dhe tetë më pak se i shtati që të shpëton direkt.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"