Rekord shqiptar në Olimpiadë/ Luiza Gega, finalistja e parë që vjen nga një kryeqytet pa pistë atletike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2021 | 12:42

Rekord shqiptar në Olimpiadë/ Luiza Gega, finalistja e parë që vjen nga një kryeqytet pa pistë atletike

Më datë 4 gusht, në stadiumin e Tokios, do të mbahet finalja e madhe e 3000 metrave me pengesa për femra. Një event ku do të garojnë atletet më të mira të botës, mes tyre edhe kampionia shqiptare, Luiza Gega.

luiza gega 1

Por kjo finale do të futet në histori si një prej rasteve më unikale që kanë njohur ndonjëherë Lojërat Olimpike, pasi në të do të konkurrojë një atlete, e cila vjen nga një qytet që nuk ka asnjë pistë të vetme tartani. Bëhet fjalë për Luiza Gegën, e cila banon dhe stërvitet në Tiranë, qytet ku nuk ekziston pista e atletikës.

Siç dihet kryeqyteti i Shqipërisë, pas prishjes së ish-stadiumit “Qemal Stafa” në vitin 2016 ka mbetur pa asnjë pistë tartani për atletikën. Është vërtet paradoksale, por një kampione e kalibrit të Luiza Gegës, stërvitet te Kodrat e Liqenit Artificial apo duhet të emigrojë në stadiumin e Elbasanit për të zhvilluar seancat e saj stërvitore. Madje, në Elbasan nuk funksionojnë as pengesat e ujit. Ky handikap u pa qartë edhe në garën kualifikuese në Tokio, teksa Luiza Gega humbiste terren vazhdimisht ndaj rivaleve te pjesa e pengesave të ujit, pasi nuk ka ku t’i ushtrojë.

Kështu, në finale, e palodhura Luiza Gega, e cila vjen nga Tirana që s’ka pistë, do të sfidojë kundërshtaret më të forta të botës, që kanë shtete të fuqishme dhe sponsor nga pas, duke synuar përsëri të shkruajë historinë e atletikës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"