Reali me statistika monstruoze, Bajerni beson te përmbysja. Ja sekretet e dy gjigantëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2018 | 20:24

Reali me statistika monstruoze, Bajerni beson te përmbysja. Ja sekretet e dy gjigantëve

Reali i Madridit fitoi 1-2 në ndeshjen e parë në “Allianz Arena”, duke hipotekuar kualifikimin për në finalen e Kievit. Por, sot ata do të tregojnë nëse janë të aftë të mbrojnë atë që fituan në Mynih, ndaj një Bajerni dominant, por i pafat. Dëmtimi i Robeni dhe Boatengut, që u detyruan të linin fushën e lojës që në pjesën e parë, ndikoi shumë negativisht te rrjedha e lojës. Por, kritika për bavarezët kishte.

Champions League Semi Final First Leg - Bayern Munich vs Real Madrid

Robert Levandovski u vu në shënjestër nga shumë analistë vendës, midis tyre edhe ishlojtarë të Bajernit, Oliver Kahn edhe Ditmar Haman. Por, gjermanët besojnë tek aftësitë e tij dhe shpresojnë në një rikthim, pse jo në Madrid ai mund të kthehet në hero. Reali nga krahu tjetër ka treguar një formë fantastike në ndeshjet e Champions-it, duke eliminuar disa nga skuadrat më të mira në Europë.

bajern real

Po çfarë i bën Realin dhe Bajernin të suksesshëm në Champions dhe si ndryshojnë skuadrat nga paraqitja e tyre në kampionat, kjo duket në dy grafikët e paraqitur në foto. Statistikat janë nxjerrë në bazë të një përllogaritjeje të marrë nga të gjitha statistikat e pasndeshjeve, në kampionat edhe në Champions të Realit dhe Bajernit.

Kjo ka filluar që nga ndeshjet në fazën e grupeve dhe deri në ndeshjen e fundit të vlefshme për kompeticionin europian. E njëjta procedurë është ndjekur edhe në ato të La Ligës dhe Bundesligës. Reali është dukshëm më i avantazhuar, për sa u përket statistikave në Champions në krahasim me Bajernin.

bajern real

REALI – Madrilenët sigurisht që kanë bërë më mirë se në kampionat, në Champions skuadra e Zidanit e ka pasur më të lehtë të fitonte kjo dhe për vetë faktin se kanë më shumë besim, ndikuar edhe nga fitimi i trofeut në dy vitet e fundit. Faza sulmuese e spanjollëve ka qenë më agresive në Europë, kjo falë Asensios edhe Iksos, të dy një kërcënim i vazhdueshëm për kundërshtarët.

Reali

Në lojën direkte, Reali është më pak aktiv se Bajerni, por në kundërsulm ata janë më të rrezikshëm, duke pasur përqindjen më të madhe se çdo kundërshtar tjetër. Me pak fjalë Ronaldo me shokë mundohen të gjejnë mënyra të ndryshme për t’iu afruar zonës kundërshtare dhe të shënojnë falë edhe efikasitetit në sulm. Por, ata jo vetëm që luajnë një kundërsulm perfekt, kanë edhe një përqindje të mirë në neutralizimin e sulmeve të kundërshtarëve.

Kjo falë brazilianit Kasemiro që ka një mesatare prej 1.48 për qind në 90 minuta lojë, më të mirën në Champions. Pas tij vjen Fernandinjo i Mançester Sitit me 0.64 për qind. Këto dy karakteristika kanë qenë prezente edhe në ndeshjen e fundit në Mynih, ku goli i Marcelos dhe Asensios kanë ardhur pikërisht nga dy kundërsulme, në të cilën Bajerni u ndesh shpesh me murin Kasemiro, por jo vetëm.

BAJERNI – Skuadra e Hejnkesit është qartë shumë herë më efikase në Bundesligë, dominimi i tyre, por edhe niveli i skuadrave gjermane në kampionat, krahasuar me ato spanjolle është më i vogël. Gjermanët nuk luajnë shumë ndryshe në Champions nga loja që zhvillojnë në kampionat. Presingu i lartë dhe krosimet janë një nga armët kryesore të kampionëve të Gjermanisë. Skuadra luan një futboll të shpejtë dhe në veçanti kur kërkon të krijojë aksione.

Bajerni

Por, kjo jo më mirë se Reali. Gjermanët kanë një përqindje më të madhe në ushtrimin e presingut, me 37 për qind ata janë shumë herë më efektiv se madrilenët, të cilët qëndrojnë tek 9 për qind. Reali është dukshëm më kërcënues se Bajerni, por gjermanët i besojnë lojës tradicionale të tyre, kur vështirësitë e krijimit të aksioneve janë të mëdha, e vetmja mënyrë për të rrezikuar kundërshtarin janë krosimet e shumta.

Dhe me lojtarët që disponojnë krahë, kjo mund të sjellë shumë probleme për skuadrën e Zidanit. Kimish, Alaba dhe Riberi do të përbëjnë një rrezik konstant për Marcelon dhe pjesën tjetër të skuadrës. Reali dhe Bajerni shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri do të kenë një synim të përbashkët në sfidën e kthimit në “Bernabeu”, kalimin për në finalen e Champions-it. Zidan dhe Hejnkes, të dy të uritur për trofeun, edhe pse gjermani më shumë. Francezi e ka fituar dy herë rresht në dy sezonet e fundit. Njëri ikën në verë (Hejnkes) dhe tjetri sapo ka nisur karrierën me një nga skuadrat më të mira në planet.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"