Ramadan Shehu merr drejtimin e Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2012 | 13:38

Ramadan Shehu merr drejtimin e Laçit

Që nga dita e djeshme, Ramadan Shehu është zyrtarisht trajneri i ri i Laçit. Ish-trajneri i Kombëtares së U-19 ka marrë dje drejtimin e skuadrës kurbinase për pjesën tjetër të kampionatit. Në fakt, sinjalet për emërimin e tij në krye të kësaj pankine erdhën që në ndeshjen e së dielës ndaj Apolonisë, të cilën Shehu e ndoqi në tribunë së bashku me presidentin Pashk Laska. I pyetur në fund të përballjes nëse Shehu është tekniku i zgjedhur për t’i drejtuar bardhezinjtë për pjesën tjetër të sezonit, numri një i presidencës Laska e mohoi diçka të tillë. Ndërsa vetëm paraditen e djeshme ai ka konfirmuar Ramadan Shehun si trajnerin e ri të Laçit.
Prezantimi Duke qenë se laçianët do të përballen të mërkurën me Tomorin për llogari të Kupës së Shqipërisë, trajneri i sapoemëruar nuk ka pritur asnjë ditë, por ka zbritur direkt në fushën e lojës për të kryer seancën e radhës stërvitore. Mirëpo përpara kësaj, numri një i pankinës laçiane është ndalur përpara lojtarëve, teksa u ka thënë atyre se bashkë do të bëjnë gjëra të mira. “Kam pasur mundësinë të ndjek ecurinë e Laçit këto vitet e fundit dhe pa dyshim që është një nga ekipet më simpatike që kam parë në fushën e lojës. Normalisht kjo falë punës suaj, të drejtuesve dhe normalisht edhe të stafeve teknike të mëparshme. Vjet u kam ndjekur me vëmendje në pjesën më të madhe të sezonit, ndërsa sivjet më pak. Gjithsesi, nga ajo çfarë kam parë në fushë, e kam krijuar një panoramë të asaj atë që ju jeni të aftë të bëni. Ne na mbetet të stërvitemi fort dhe të shpalosim në fushën e lojës gjithçka bëjmë gjatë seancave stërvitore, në mënyrë që puna të na shpërblehet. Unë jam optimist për të ardhmen dhe besoj se së bashku do të arrijmë të bëjmë gjëra të mira”, – është shprehur tekniku Shehu në prani të presidentit Laska, drejtorit teknik Zani, si dhe trajnerit të portierëve, Rama.
Stërvitja Pas prezantimit të teknikut të ri, ekipi është stërvitur në aneksin stërvitor. Lojtarët që luajtën ndaj Apolonisë u përgatitën veçmas me një ritëm të ulët, teksa bënë disa vrapime dhe ushtrime të lehta tekniko-taktike. Pjesa tjetër e grupit është stërvitur normalisht duke marrë ngarkesë të plotë. Ndërkohë që sot i gjithë kontingjenti do të marrë ngarkesën e duhur për dy përballjet e kësaj jave për kupë dhe kampionat. Laçianët do të kërkojnë të bëjnë më të mirën, me qëllim që të vazhdojnë me serinë e rezultateve pozitive.
VLADIMIR PRENGA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"