Raineri përlotet: Do qaj sërish nëse fitojmë. Hajdari: Nëse s’fitonim, do të ishte krim

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Nëntor 24, 2014 | 10:04

Raineri përlotet: Do qaj sërish nëse fitojmë. Hajdari: Nëse s’fitonim, do të ishte krim

Raineri dhe GocajBaldo Raineri e ka përjetuar shumë ndeshjen me Flamurtarin. Trajneri i Vllaznisë është përlotur në momentin e shënimit të golit, por edhe pas vërshëllimës së gjyqtarit për përfundimin e takimit. “Pas gjashtë humbjeve radhazi, kjo fitore ishte si një moment çlirimi për ne. Jemi në një qytet që jeton me futbollin dhe natyrisht ndihej situata e rëndë që po kalonte skuadra. Emocionet më kapën edhe mua, prandaj dhe u përlota. Nëse do të fitojmë sërish, atëherë edhe unë do të vijoj të qaj”, ka thënë fillimisht Raineri, duke bërë një batutë me ngarkesën emocionale që kishte. Sipas tij, fitorja ndaj Flamurtarit ishte shumë e rëndësishme. “E vlerësoj në maksimum këtë trepikësh, pasi kampionati ynë është me Apoloninë edhe Elbasanin, dy skuadra që luftojnë për mbijetesë. Sot (dje) kam parë një Vllazni në formë. Para ndeshjes u thashë futbollistëve se janë kapitali i klubit dhe se duhet të luajnë për veten e tyre. Në fakt, ka qenë një lidhje e çuditshme midis nesh gjithë këtë periudhë. Që nga 27 korriku kemi ecur me symbyllur në terr, duke mos ditur nga çfarë duhet të ruheshim. Kemi vazhduar gjithmonë të punojmë, duke sfiduar çdo problem që kishte në klub”, deklaroi trajneri Raineri në intervistën televizive pas ndeshjes për “Supersport”.
Prapaskena – “Pas humbjes me Teutën kam menduar të largohem nga Vllaznia. Nuk doja ta lija ekipin në baltë, por u thashë drejtuesve që, nëse unë jam e keqja e skuadrës, atëherë po iki. U bë një mbledhje në bashki me kryetarin Luka e drejtorin Grima, teksa m’u dha besimi për vazhdimësinë”, tregon italiani, teksa u pyet nëse do të ishte larguar po të humbte ndaj Flamurtarit.
Për Krymin – Në lidhje me debutimin e mesfushorit Krymi, kreu i pankinës kuqeblu deklaroi: “Nuk ishte kuraja ime, por e vetë futbollistit, i cili tregoi se jo vetëm di të luajë mirë, por edhe të shfaqet në fushë si një veteran. Guximi për t’u vlerësuar”.

hajdari-arsen-gjekaZhbllokohet Hajdari: Nëse s’fitonim, do të ishte krim
Zhbllokohet Arsen Hajdari dhe Vllaznia fiton pas dy muajsh. Megjithatë, mesfushori me tipare sulmuesi i skuadrës shkodrane u është gëzuar më shumë tri pikëve se sa golit të tij të parë për këtë kampionat. Gjatë një bisede për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Hajdari ia ka dedikuar fitoren ndaj Flamurtarit tifozërisë shkodrane, që këtë herë sipas tij kanë qenë lojtari numër 12 në fushën e lojës. “Mendoj se arritëm një fitore të merituar ndaj vlonjatëve. Çdo rezultat tjetër, veç fitores, do të ishte si një krim po të ndodhte. Ishte një trepikësh që si unë dhe gjithë ekipi ia kemi dedikuar rikthimit në shkallët e stadiumit të tifozërisë shkodrane. Ata kanë qenë lojtari i 12-të përgjatë gjithë këtij takimi. Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshej shumë të mirë, gjatë të cilës kemi dhënë gjithçka në fushë. Luajtëm me shpirt gare dhe kjo ishte ajo që na çoi drejt suksesit. Besoj se tani kriza e rezultateve për ekipin tonë ka kaluar. Shpresoj që të vazhdojmë të tregojmë të tillë lojëra, pasi jam i bindur se rezultatet nuk do të na mungojnë”, ka thënë fillimisht Hajdari. Ndërkohë, i pyetur në fund për golin e tij të parë që erdhi vetëm në javën e 13-të, mesfushori u shpreh: “Natyrisht që më kënaq një gol i shënuar, pasi edhe mua si lojtarë më liron në aspektin psikologjik, por të jem i sinqertë më tepër më ka kënaqur fitorja e arritur. Ajo ka pasur rëndësi në këtë takim dhe ne ia dolëm”.

Ardit KrymiKrymi, debutim ëndrrash: Dita më e lumtur për mua!
Një 18-vjeçar që nga minuta e parë në debutimin me fanellën e Vllaznisë. Këtë shans, që e kanë shumë pak futbollistë të rinj, e pati dje Ardit Krymi. Mesfushori shkodran e justifikoi totalisht besimin e trajnerit Baldo Raineri, duke qenë ndër më të mirët në fushë në takimin kundër Flamurtarit. Aktivizimi i tij qe fatsjellës për kuqeblutë, teksa përkoi me fitore. “Aktivizimet në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë më kanë ndihmuar që në këtë takim të parë në kampionat të kem sa më pak emocione. Megjithatë, ndjesia ishte ndryshe, pasi dihet që niveli i lojtarëve dhe emri i skuadrës që kishim përballë qëndronte shumë më lart”, thotë 18-vjeçari në bisedën për “Panorama Sport” pas ndeshjes. Krymi luajti si mesfushor shkatërrues dhe tashmë shpreson që të vazhdojë me të tilla paraqitje. “Në lojën ime ndaj Flamurtarit kanë një meritë të madhe të gjithë shokët, të cilët më mbështetën dhe më përkrahën. Ata më inkurajonin gjatë gjithë takimit. Ishte një ndeshje që për mua nuk mund të harrohet lehtë, por për më tepër edhe kjo fitore. Të debutosh kështu është si në ëndërr”.
A.Uruçi






www.minuta90.com