Protesta, shqiptarët me dron mbi UEFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2014 | 13:34

Protesta, shqiptarët me dron mbi UEFA

[portfolio_slideshow]
Shqiptarët “pushtojnë” për të paktën një orë e gjysmë UEFA-n. Ashtu sikundër ishte parashikuar prej ditësh, më shumë se një mijë persona janë mbledhur dje përpara selisë së Qeverisë së Futbollit Europian duke protestuar paqësisht kundër vendimit të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Ky i fundit “harroi” ose më mirë anashkaloi me dashje racizmin serb kundrejt shqiptarëve. Mbylli sytë ndaj dhunës së pashembullt që ushtruan serbët, duke filluar nga tifozët dhe deri te forcat e sigurisë në stadium (këta të fundit presupozohej se duhej të vinin rregullin), duke ndëshkuar Shqipërinë me humbje të ndeshjes në tavolinë dhe gjobitur me 100 mijë euro. Pikërisht për shkak të kësaj padrejtësie të paprecedentë në futbollin botëror, shqiptarët janë mbledhur për herë të dytë para selisë së UEFA-s në Zvicër (të njëjtën gjë patën bërë edhe më 26 tetor).
Protesta Tubimi është organizuar nga grupimi “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët patën marrë edhe lejen e posaçme nga policia vendëse. Kështu, rreth orës 14:00, të ditës së djeshme nisi zyrtarisht kjo protestë, me protestuesit që mbanin kryesisht flamuj shqiptarë, por edhe të Kosovës dhe NATO-s. Me pankarta dhe brohoritje ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me vendimin e UEFA-s, e cila i dha fitore Kombëtares së Serbisë në tavolinë me rezultat 3:0. Protesta u zhvillua nën thirrjet: “O sa mirë me qenë shqiptarë”, “Besa Besë”, “Oj Kosovë oj nana ime”… Nuk mungonin edhe parulla ironizuese me foton e presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, dhe me mbishkrimin: “Respekt, vetëm jo për shqiptarët”. “Qëllimi i tubimit para selisë së UEFA-s është për të protestuar kundër pazarllëqeve të UEFA-s me Serbinë dhe për t’i treguar botës se e drejta dhe fitorja janë në anën e Kombëtares shqiptare. Askush nuk ka të drejtë të luajë me fitoren dhe me identitetin tonë kombëtar. Protestuam ndaj vendimit arbitrar të Komisionit të Disiplinës të UEFA-s që jo vetëm diskriminon dhe penalizon shqiptarët, por favorizon dhunën dhe racizmin që u shpreh në Beograd”, ka thënë për “Presheva Jonë” Artim Elmazi, kreu i TKZ-së në Zvicër.
Droni Duhet thënë se e gjithë rruga që të çonte deri te selia e UEFA-s ishte kuq e zi, me të rinj e të reja, të cilët mbanin pankarta të ndryshme kundër atij vendimi të UEFA-s. Protesta filloi me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe kryesuesi i kësaj proteste lexoi një deklaratë. Më pas, organizatori i protestës prezantoi edhe njeriun që ngriti dronin në Beograd, Ismail Morinën, i njohur ndryshe edhe me emrin “Ballisti”. Ai shkoi dje në Nion dhe me anë të një droni tjetër lëshoi flamurin kombëtar në drejtim të oborrit të UEFA-s. “Ballisti”, i shoqëruar nga disa persona, nuk pranoi të linte asnjë mesazh, por vetëm sa komandoi fluturaken, e cila kaloi me sukses në oborrin e UEFA-s. Më pas, njëri nga policët, që mbanin rregullin, e morën dronin dhe ua kthyen përsëri organizatorëve. Këtë protestë e përcollën edhe disa nga mediat zvicerane. Protesta ishte paqësore dhe përfundoi pas rreth një orë e gjysmë, pa asnjë incident. Organizatorët kanë deklaruar se në pritje të vendimit të apelit e ndoshta më pas edhe të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv është me rëndësi të sensibilizohet opinioni ndërkombëtar për të vërtetën e asaj që ndodhi në Beograd.

Vendimi i Apelit, pas 20 nëntorit
UEFA nuk ka dhënë ende argumentimin e saj në lidhje me vendimin që mori më datë 24 tetor për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Federata jonë është në pritje të vendimit të zbardhur dhe argumentuar, por qeveria e futbollit europian duket se do të shfrytëzojë në maksimum afatin dhjetëditor që ka në dispozicion. Sipas procedurave të UEFA-s, vendimi i zbardhur i Disiplinës u vihet në dispozicion federatave pas kërkesave të këtyre të fundit dhe jo më shpejt se 10 ditë pas marrjes së tij. Pasi ky vendim t’u jepet të dyja federatave, ato kanë të drejtë që brenda 5 ditësh të depozitojnë në zyrat e UEFA-s kërkesën për apelimin e këtij vendimi. Më pas, anëtarët e këtij komisioni marrin kohën e duhur për t’u njohur me çështjen dhe gjasat janë që mbledhja të bëhet rreth datës 25 të këtij muaji.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"