Premio rekord, 500 mijë euro në rast kualifikimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 10:56

Premio rekord, 500 mijë euro në rast kualifikimi

skenderbeuNjë premio rekord që, për herë të parë, mund ta përfitojë një skuadër shqiptare. Lojtarët e Skënderbeut kanë në dispozicion 500 mijë euro shpërblim nëse arrijnë të kualifikohen sot në përballjen kundër moldavëve të Milsamit. Këtë e ka konfirmuar vetë presidenti Ardjan Takaj, i cili ka deklaruar ditë më parë se, në rast se ekipi do të kalojë Milsamin, do të marrë 500 mijë euro premio.

Ndërkohë, në turin tjetër, atë të “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, pritet që premioja, sipas edhe vetë numrit një të klubit, të jetë akoma edhe më e madhe. Bëhet fjalë për një tjetër shifër të padëgjuar më parë. Në fakt, të ardhurat e klubit shtohen ndjeshëm dhe hapi më i madh do të ishte nëse kualifikohet në grupet e Ligës së Kampioneve. Gjithsesi, historik është edhe fakti që korçarët sigurojnë pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Europës nëse vulosin sot kualifikimin.

Dy vite më parë, Skënderbeu ishte vetëm një penallti larg grupeve të Ligës së Europës, teksa luajti në “play-off” kundër ukrainasve të Çernomorets Odesës. Bakari Nimaga, mesfushori nga Mali që është titullar te Skënderbeu, humbi një penallti në atë takim. Gjithsesi, pas dy viteve, sot skuadra korçare ka shansin të futet në histori, duke parakaluar edhe rekordin e arritur nga Kukësi, që kaloi tre ture.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"