“Pogradeci kantier ndërtimi”, Nikaj: Na mungon një qendërsulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2023 | 21:41

“Pogradeci kantier ndërtimi”, Nikaj: Na mungon një qendërsulmues

Samuel Nikaj e shikon Pogradecin si një kantier ndërtimi për momentin. Trajneri shkodran i liqenorëve, në një intervistë për “Panorama Sport” pas testit me Erzenin, që përfundoi 0-0, tregon planin që ka me skuadrën si dhe atë që pret nga merkato.

nikaj

Nikaj, si iu duk paraqitja e skuadrës në ndeshjen me Erzenin?

Paraqitja kundër Erzenit mu duk mirë. Realisht, pas ndeshjes me Skënderbeun kisha mbetur shumë i zhgënjyer prej performancës së lojtarëve, por në këtë ndeshje pashë një përmirësim, pashë më shumë dëshirë.

Ne jemi kantier ndërtimi për momentin, por gradualisht mendoj që edhe këtë javë do të vazhdojmë me seleksionime dhe më pas të zhvillojmë një mini-fazë përgatitore, rreth 3 javë. Më pas do të zhvillojmë sërish ndeshje miqësore në mënyrë që ta konsolidojmë 100% ekipin që të jemi të gatshëm për kampionatin.

Kur thoni seleksionime nënkuptoni se do të ketë largime nga radhët e të rinjve që nuk kanë përmbushur pritshmëritë tuaja?

Po, normalisht ne duhet të shohim, sepse janë disa të rinj që janë shumë lojtarë të mirë, por ndoshta për vetë objektivat që kemi mund të mos jenë pjesë e jona. Do të tentojmë t’i huazojmë tek Maliqi ose Devolli, në mënyrë të tillë që të bëjmë edhe ne ndonjë bashkëpunim me këto dy ekipe, ku mund t’u marrim ndonjë lojtarë me eksperiencë që ata kanë dhe ne t’i furnizojmë me lojtarë të rinj.

Na mungon një qendërsulmues i gjatë që të fitojmë topin e parë, megjithatë më pëlqen shumë loja për topin e dytë, ku kundër Erzenit fituam pothuajse 80% të dyluftimeve. Kjo ka qenë edhe ideja ime që të luajmë me topin e gjatë edhe të fitojmë topin e dytë, pra më metrat e fundit dhe aty të futim në efiçencë driblimet e Alillarit, Topllarit, Shkulakut, të cilët janë lojtarë që dinë të driblojnë një kundër një, prandaj mendoj që sot ishte deri diku ajo lloj loje ku pati grintë, pati dyluftime.

Merkato në hyrje është e hapur?

E hapur është, normalisht që sot lojtari brazilian, qendërmbrojtësi Joao më pëlqeu. Lojtar që na ka munguar këtë vit, sepse është me shtatlartësi, i saktë në dyluftime sidomos në lojën në ajër. Po ashtu edhe futja e Ivanit në qendër të mbrojtjes i ka dhënë tepër garanci sidomos lojës në ajër. kur them jemi kantier ndërtimi, ne presim lojtarë, jemi në bisedime.

Ka mundësi që këtë javë të vijnë 2-3 lojtarë me përvojë në kategorinë e dytë. Vjet kishim super ekip, por luanim si ekip i kategorisë së parë, këtë vit do të tentojmë të luajmë si ekip i kategorisë së dytë dhe të fitojmë me këtë lloj futbolli.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"