Plas te Vllaznia, skuadra bojkoton stërvitjen prej rrogave….

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2018 | 10:15

Plas te Vllaznia, skuadra bojkoton stërvitjen prej rrogave….

Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj ka bojkotuar seancën stërvitore. Kuqeblutë rrezikojnë që të mos shkojnë as në ndeshjen e radhës, e cila luhet me Teutën në Durrës. Shkodranët humbën ndeshjen e parë me Goga Basket në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe pas sfidës së parë të sezonit, Vllaznia përballet me probleme serioze.

Vllaznia-basket-feston

Shkak për bojkotimin e seancës stërvitore nga basketbollistët e Vllaznisë është bërë pagesa e ulur sipas tyre e trajtimit ushqimor mujor. Sipas basketbollistëve dhe trajnerit të ekipit Fatjon Taraboshi, ata do vazhdojnë bojkotin e stërvitjes në rast se ky problem nuk zgjidhet. Aktualisht, sipas lojtarëve dhe trajnerit trajtimi mujor ushqimor është 175 mijë lekë të reja, ndërsa ekipi kërkon që kjo shumë të rritet në 250 mijë lekë të reja. Në rast se kjo shumë nuk rritet sipas kërkesës së skuadrës shkodrane, atëherë i bie sipas pretendimeve të tyre që disa basketbollistë të Vllaznisë jo vetëm që të mos paguhen fare, por edhe të shkojnë në ndeshje me paratë e tyre. Ata nuk pajtohen me këtë situatë, ndaj edhe kanë bojkotuar seancën stërvitore, e parashikuar për t’u zhvilluar në orën 18:00 të 9 tetorit, pra pasditen e djeshme.

Ai që ka hedhur më shumë dritë rreth kësaj gjendjeje të vështirë është vetë trajneri i kuqebluve, Fatjon Taraboshi. Tekniku i kuqebluve bën të ditur se tashmë skuadra rrezikon që të mos shkojë në ndeshjen me Teutën, në rast se kjo çështje nuk merr zgjidhje. “Sot lojtarët nuk kanë pranuar që të dalin në stërvitje për shkak se ka një problem me pjesën ekonomike, fondin mujor që është u përcaktuar për trajtimet ushqimore. Në këtë mënyrë, lojtarët kanë vendosur që të mos bëjnë stërvitje dhe unë i respektoj ata normalisht. Nuk kanë dalë sot, por nga bisedat që kemi, rrezikojnë që ky bojkot i stërvitjes të vazhdojë nga ana e tyre. Ne në fundjavë kemi ndeshjen në transfertë me Teutën dhe në rast se ky problem nuk zgjidhet, atëherë nuk shkojmë në ndeshje. Disa lojtarë nuk pranojnë dhe duke marrë parasysh edhe tre të larguarit, atëherë nuk kemi basketbollistë as për të plotësuar numrin që duhet për një ndeshje kështu që s’kemi pse të shkojmë në Durrës në këtë situatë. Ne do komunikojmë dhe në rast se situata ndryshon dhe merret parasysh kërkesa jonë, atëherë do vijojmë normalisht. Shpresoj që të ketë një zgjidhje, por për momentin jemi në këtë pikë.

Se sa do vijojë bojkoti këtë nuk di ta them, sepse duhet ta shohim në vazhdimësi”, deklaroi trajneri. Pak minuta përpara stërvitjes, e cila nuk u zhvillua, trajneri Taraboshi dhe kapiteni i Vllaznisë, Damian Bekteshi, zhvilluan një bisedë me drejtorin e “Sport Klub Vllaznia”, Mark Kroqi, duke ndarë shqetësimin e tyre. Pasi drejtori Kroqi bëri sqarimin e tij dhe pasi basketbollistët nuk e zhvilluan stërvitjen, ai dha versionin e tij, duke thënë se shtesa prej 50 mijë lekë të rinj që kërkojnë basketbollistët në trajtimin ushqimor mujor do të realizohet, ndërsa nuk ngurroi të përmendë se kjo situatë ka ardhur edhe nga rezultatet e dobëta të ekipit dhe largimit e tre basketbollistëve nga skuadra.

“Ekipi i basketbollit nuk mori rezultate të mira sezonin e kaluar. Këtë sezon ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi të madhe ku dy trajnerë u dorëhoqën dhe tre lojtarë kryesorë që kishin edhe pjesën më të madhe të pagesës u larguan nga Vllaznia. Në këto kushte menduam që pjesa e trajtimit ushqimor për tre të larguarit t’u kalonte ekipeve të tjera. Në këtë moment, trajneri i Vllaznisë propozoi që të hiqen plotësisht, por trajtimit ushqimor të ngelur t’i shtohet shuma prej 50 mijë lekë të rinj. Sportistët nuk e kanë mirë këtë që kanë bërë aq më tepër që bëhet fjalë edhe për basketbollistë të rinj që ka skuadra. Ne do ta sqarojmë edhe njëherë situatën dhe i siguroj lojtarët dhe trajnerin se pjesa prej 50 mijë lekësh të rinj që kanë propozuar dhe që kërkojnë do t’u shtohet dhe nuk ka pse të ketë asnjë problem”, deklaroi drejtori i klubit, Mark Kroqi.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"