Pikantet e sfidës Egnatia-Laçi/ “Xixa” mes Aleksit dhe Ujkës, Meta kthehet në vendin e “krimit” si vëzhgues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2023 | 17:47

Pikantet e sfidës Egnatia-Laçi/ “Xixa” mes Aleksit dhe Ujkës, Meta kthehet në vendin e “krimit” si vëzhgues

Kridens Meta shfaqet në vendin e “krimit” pas katër muajsh nga incidentet në ndeshjen e parafundit të kampionatit të kaluar, Tirana-Bylisi 2-2, që u luajt në stadiumin e Rrogozhinës.

fggf

Arbitri nga kryeqyteti, që mesa duket ka hequr dorë tashmë nga gjykimi, është shfaqur në ndeshjen Egnatia-Laçi 2-1, si vëzhgues i arbitrave. Kësisoj, FSHF ka vendosur t’i japë Metës detyrën e vëzhguesit në vazhdimësi, duke bërë që të mbyllë përfundimisht gjykimin në fushë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes.

* Përpara sfidës Egnatia-Laçi, klubi rrogozhinas organizoi një manifestim simbolik. Një nismë nga drejtuesit e klubit në nderim të gjithë atyre futbollistëve që kanë kontribuar për këtë skuadër. Presidenti i klubit të Egnatias i dha certifikatë mirënjohje Agron Aliut, ish-portieri legjendar rrogozhinas, i cili i ka shërbyer sportit për 30 vite me radhë. Aliu ka qenë trajner i parë dhe më tej edhe trajner i portierëve për disa sezone me skuadrën e vendlindjes së tij.

* Ndeshjen e ndoqën në tribunën VIP presidentët Agim Demrozi dhe Pashk Laska, të cilët shkëmbyen edhe batuta me njëri-tjetrin. Mes tyre përgjatë gjithë takimit ishte edhe kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, i cili nuk mungon në evenimente të tilla.

* Trajneri i Laçit, Skerdi Bejzade, ishte shumë aktiv gjatë gjithë takimit, madje shpeshherë iu tërhoq vëmendja nga gjyqtari i katërt, Andi Koçi, pasi prekte vijën fundore të fushës, teksa u jepte udhëzime lojtarëve të tij.

* Pas golit të shënuar nga Rafael Duamena, në minutën e 11-të, pati ankth për sulmuesin, i cili u shtri në kokë dhe u mendua se u dëmtua rëndë. Mirëpo, pas ndihmës së stafit mjekësor, ganezi që mban shiritin e kapitenit, vazhdoi lojën, duke qenë më i miri në fushë.

* Loja u ndërpre në minutën e 22-të, me arbitrin që u dha mundësi ekipeve të freskoheshin me ujë, pasi temperaturat ishin të larta.

* Një grup i vogël tifozësh kurbinas janë marrë me arbitrin Florian Lata vazhdimisht, duke e ofenduar thuajse për çdo vendim kundër Laçit.

* Në fundin e pjesës së parë pati një përplasje mes Albano Aleksit dhe Serxho Ujkës për shkak të një mosrespektimi të “fair play”-t nga kurbinasit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"