Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Pëllumba kuqeblu mbi stadium, Skuka “bën naze” te zëvendësimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 11:57

Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Pëllumba kuqeblu mbi stadium, Skuka “bën naze” te zëvendësimi

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes së djeshme mes Partizanit dhe Vllaznisë, e mbyllur me shifrat 0-0 në stadiumin “Air Albania”. Në shkallët e impiantit më të madh në vend ishin të pranishëm afro 3 mijë spektatorë, shifër modeste për një betejë ku në fushë zbrisnin 26 tituj kampion.

partizani vllaznia

* Rreth 5 minuta para startit të ndeshjes, në stadium mbërrin presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Ai shoqërohet nga njerëz të afërm të tij, teksa drejtuesit e Partizanit preferojnë ta shohin ndeshjen në pjesë të tjera të stadiumit “Air Albania”.

* Në momentin që lojtarët zbresin në fushë në startin e ndeshjes, dy pëllumba të bardhë me shirita të ngjyrave të Vllaznisë të lidhur në këmbë fluturojnë të lirë pranë tribunës kryesore, duke krijuar një moment mjaft të bukur.

* Dajan Shehi dhe Ardit Hoxhaj, elbasanasi “ish” i të dyja ekipeve e vlonjati i Vllaznisë, shfaqen në shkallët e stadiumit për të ndjekur këtë sfidë. Nuk munguan as dy “ish”-ë të Partizanit, Elton Marini, drejtori i vjetshëm dhe Ledio Pano, ish-trajner i moshave. Të dy kanë të shkuar edhe si futbollistë në kampin e kuq.

* Pa u mbushur 10 minuta lojë, në sektorin pas portave të tifozërisë shkodrane, tifogrupi “Vllaznit” plasin dy shashka të fuqishme. Pas këtij momenti të gjithë ata 100 tifozë u larguan nga ajo pjesë e stadiumit dhe iu drejtuan dyerve të daljes. Pas rreth 5 minutash të njëjtët tifozë kthehen në stadium. E vështirë për tu kuptuar arsyeja e këtyre lëvizjeve.

* Ndryshe nga ndeshjet e shkuara, të paktën në shtëpi, pjesa e dytë te Partizani nis me një sprint mbi piketa për të gjithë lojtarët, me qëllim nxehjen dhe marrjen e ritmit. Një teknikë të tillë stafi i Shehit e aplikonte edhe te Tirana.

* Të qetë të dy trajnerët, që më së shumti qëndrojnë në cepin e kuadratit të tyre dhe ndjekin lojën. Udhëzime japin vetëm në momente të veçanta.

* Xhuliano Skuka zëvendësohet në minutën e 64-t. Mimika e tij dhe gjuha e trupit shfaqin qartë zhgënjimin për këtë vendim të Shehit. Në fund ulet qetësisht në stol, pasi përshëndetet me gjithë stafin.

* Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, zbret në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes. Ky është një veprim që bëhet shpesh nga ana e tij, teksa herë pas here shihet edhe të komunikojë personalisht me lojtarë të caktuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"