Pikantet e Dinamo-Kukësi/ Rrjetat e portave shtyjnë ndeshjen me 6 minuta, tifozët blu u këndojnë mercenarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2022 | 17:20

Pikantet e Dinamo-Kukësi/ Rrjetat e portave shtyjnë ndeshjen me 6 minuta, tifozët blu u këndojnë mercenarëve

Ndeshja mes Dinamos dhe Kukësit, edhe pse u ndoq nga një numër i paktë tifozësh, pati disa episode interesante në shkallët e stadiumit. Tifozët e Dinamos janë kapur me arbitrin Cjapi, trajnerin Devolli, por edhe me lojtarët e tyre, në fund veçanërisht me Sabien Lilajn, pas një fërkimi në momentin e mbylljes së ndeshjes. Gazeta sjell disa nga momentet më pikante të kësaj sfide.

kukesi

*Starti u shty gati 6 minuta, pasi rrjetat e portave kishin probleme. Pas ndërhyrjes së punëtorëve të stadiumit nisi loja.

*Tifozët dinamovitë kanë brohoritur shpesh: “Dinamo klub legjendar, nuk ka vend për mercenarë”. Një shprehje e pakënaqësisë së tyre ndaj asaj çfarë skuadra ka dhënë në fushë këtë sezon, ku rrezikon rënien.

*Kryeqytetasit luajtën me uniformën e tretë në këtë ndeshje. Ata zgjodhën uniformën e zezë, përpara asaj blu dhe të bardhës.

*Munguan në tribunë presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, dhe ai i Kukësit, Safet Gjici. Të pranishëm ishin disa nga personazhet e njohur të Dinamos, si Faruk Sejdini, Aleko Bregu, Bashkim Delia etj.

*Pas një ore lojë, kapiteni i Dinamos, Agim Ibraimi, la fushën e lojës për t’u zëvendësuar nga Rexhinaldo. Ai u duartrokit nga tifozët e Kukësit, ndërsa ata të Dinamos e shoqëruan me ovacione pakënaqësie.

*Në minutën e 62-të pati një moment tensioni mes Sofranakut dhe Pontus, të cilët gati sa nuk u goditën me kokë me njëri-tjetrin. Cjapi i ndëshkoi të dy me karton të verdhë. *Pasi shkaktoi autogolin, Prodani pati ndihmën e një tifozi special të tij nga tribuna, i cili e inkurajonte sa herë që kapte topin.

*”Hiqe 14-ën o Devoll!”, ishte fjalia që u dëgjua thuajse gjatë gjithë pjesës së dytë nga tribuna qendrore, ku 2-3 tifozë i referoheshin Rimal Haxhiut. Në disa momente ata nisën të bënin edhe batuta, duke iu drejtuar trajnerit dinamovit: “O Devoll, po baxhanak e ke atë 14-ën?”

*Në disa momente pati edhe të shara ndaj lojtarëve të Dinamos nga tifozët e tyre, por edhe ndaj trajnerit Devolli. Tensioni kulmoi pas ndeshjes, kur tifozët u kapën me Lilajn, me të cilin patën një fërkim në momentin që përfundoi ndeshja dhe lojtarët po linin fushën. Tifozët e Dinamos tentuan t’i prisnin lojtarët e Dinamos para hyrjes së stadiumit dhe më pas në anën tjetër, nga ku futet autobusi, por nuk u lejuan nga forcat e sigurisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"