PIKANTE| Tirana-Kastrioti/ Hoxhallarin e Imamin s’i mbajnë nervat, Devolli me batuta: Këta hidh e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2019 | 21:34

PIKANTE| Tirana-Kastrioti/ Hoxhallarin e Imamin s’i mbajnë nervat, Devolli me batuta: Këta hidh e…

Të pranishëm dje në stadium ishin trajneri i kombëtares Edi Reja dhe ndihmësit e tij, Hamdi Salili, Ervin Bulku e ata italianë. Ndërkohë që dy presidentët e skuadrave ishin në tribunën VIP, veç shumë të ftuarve të tjerë ishte edhe Vasil Ruci, Andi Lila. Në tribunë e ndoqën takimin Erando Karabeci, Grent Halili, Gent Muça të gjithë të pamundur për të qenë në fushë.

Tirana-Kastrito

I gjithë stafi i Kastriotit ka qenë në fushë gjatë nxehjes së skuadrës së Kastriotit. Në fund të pjesës së parë ata kanë protestuar ndaj vendimeve të gjyqtarit te delegati i takimit dhe njëkohësisht shefi i garave, Lysien Nurishmi.

Gjatë gjithë ndeshjes dy tifozë ishin futur në cepin e majtë të “Selman Stërmasit” dhe bërtisnin dhe sulmonin lojtarët bardheblu.

Batutën më të bukur të ndeshjes e ka thënë vlonjati Vasil Ruci. Në rastin e dytë të humbur nga Majkëll Ngo, Ruci jep shpjegimin e tij: “E ka kokën të vogël, prandaj s’bën dot gol me kokë”. Fjali kjo që solli të qeshura në stadium.

Pas barazimit për gati një orë, Mema dhe stafi i tij kanë qëndruar në dhomën e trajnerëve duke reflektuar për situatën.

Presidenti Refik Halili ka dalë shumë i mërzitur nga stadiumi. Ai ka pritur të ikin pothuajse të gjithë, ndërsa lojtarët veteranë kanë shkuar menjëherë në dhomat e zhveshjeve për të folur me shokët e tyre, Hoxhallari në një moment të takimit shpërthen ndaj një prej lojtarëve me ngjyrë, më saktë Sentamusë që shpërdoron topa dhe i kthehet stolit: “Ça i fut këta o presor…”.

Ka shpërthyer edhe Eni Imami në një moment, duke iu kthyer mesfushorëve: “S’fituat një duel me kokë, i q… robt”. Më pas është kapur me Grecën. “O Grece, vazhdo kape topin”.

Mesfushori është mërzitur, duke u kthyer nga mbrojtësi e duke thënë: “Qepe”. Ardian Mema dje ka qenë më i qetë, ndonëse këshilla ka dhënë pa fund. E ka nisur me Oduamadin: “Odu finish this, finish”, më pas me hyrjen e Dokës në fushë kapet me mesfushorin.

“O Albi s’du faulle” ose “o Doke, hajde këtu o plak”, duke i treguar pozicionin ku duhet të rrinte lojtari i tij. Pas shpërdorimeve pa fund të Grecës, Mema shpërthen ndaj mesfushorit. “Grece nuk ta fal më”. Në fund, duke parë presionin, Mema këshillon portierin e tij. “O Ilion, ule një çik ritmin”!

Kastrito-Tiran

Gjyqtari maqedonas i numëron simulimet Taulant Markut, duke ua bërë të qartë atij dhe lojtarëve të Kastriotit që nëse vazhdojnë kështu, do të ndëshkohen. Bledar Devolli ka dhënë shou me sjelljen e tij në pankinë. Vetëm në fushë nuk ka luajtur, sepse gjatë gjithë kohës ka lëvizur në çdo cep të stadiumit. Si fillim e ka nisur me ankesat për gjykimin.

Duke iu drejtuar të katërtit thotë: “Ça është ky faull o shpirt”, “ça ke mo burrë” apo “ça është ai aut o”. Në një moment shpërthen, duke u kthyer nga tribuna. “Ku e keni gjet, në cilën koperativë”. Më të bukura batutat i ka pasur me lojtarët e tij, duke nisur nga Taulant Marku. “Bravo Tao, bravo djalë apo Tao ça ke, shtrëngo dhëmbët”.

Në një moment nevrikoset me sulmuesin dhe shpërthen: “Mos u bëj i fortë se të erdha aty”. Më pas trajneri i Kastriotit e ka me kapitenin. “Çela ngjitu lart, foli ti me dhunë”. S’kishte si të mos përmendej edhe sulmuesi tjetër i skuadrës.

Kastrioti

“O Patriku, e shikon që s’ke njeri shpirt, ec afrohu. O Patrik, o Patrik pse ngatërrohesh se futesh gjallë”. Në fund për t’i vënë kapakun, Devolli lëshon batutën e madhe: “Ka mbaruar, e shikon. Këta marrin topin e hidh e pirdh”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"