Përplasja pas ndeshjes/ Hoxhallari tërbon tifozët, prapaskenat e sherrit te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2024 | 21:54

Përplasja pas ndeshjes/ Hoxhallari tërbon tifozët, prapaskenat e sherrit te Tirana

Tirana-Kukësi u mby ll me një përplasje të tifozëve me lojtarët bardheblu, ndërsa në stadium nuk kishte më shumë se 1200 të pranishëm. Madje shumica e tyre ishin të huaj, kryesisht nordikë që vizitojnë Shqipërinë në këtë periudhë. Kjo kapi “mat” edhe shërbimin katering, pasi birrat mbaruan shpejt dhe turistët u mërzitën. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes në “Air Albania”:

tirana 1

* Përplasje në fund të ndeshjes mes tifozëve dhe lojtarëve të Tiranës. Shkas u bë kapiteni Erjon Hoxhallari, pasi në minutën e 80-të, tifozët e Tiranës nisën të ofendonin mbrojtësin me megafon. Kjo u pa si një shenjë pakënaqësie kundër skuadrës dhe lojës së saj. Pas mbarimit të ndeshjes, mbrojtësi Florjan Përgjoni shkon të falë një fanellë te tifozët, por refuzohet. Më pas është Abazaj që kërkon të negociojë me ultrasit. Mirëpo, tifozët kërkuan kapitenin Hoxhallari dhe e këtë e bënë me megafon.

Mbrojtësi nuk bashkohet me ekipin që të festojë me tifozët dhe shkon direkt në dhomat e zhveshjeve. Ndonëse thirret nga stafi, sërish lojtari nuk doli nga dhomat. Tifozët, pas një diskutimi me Abazajn, vendosën të largohen me skuadrën që qëndronte në 16- she pa iu afruar turmës.

VIDEO SHERRI

Gjithsesi, ultrasit nuk e lënë me kaq. Dhjetë prej tyre tentojnë të futen në dhomat e zhveshjeve. Në fillim kontrollojnë te autobusi, por më pas ndërhyjnë forcat e sigurisë. Është Grent Halili që diskuton me ta, ndërsa tifozët duan që Hoxhallari të dalë e të sqarohet. Policia vjen te dhomat e zhveshjeve dhe shpërndan tifozët, ndërsa Hoxhallari del nga një derë tjetër e stadiumit.

tifozet e tiranes

* Mbrojtësi maqedonas, Filip Najdovski, që ka mbajtur shiritin e kapitenit për një periudhë të gjatë, nuk shihet më si titullar te Tirana. Edhe me Kukësin e nisi nga stoli, teksa kjo tregon përplasjen e madhe mes tij dhe klubit. “Divorci” në fund duket i pashmangshëm.

* Pas tetë muaj e gjysmë rikuperim, Gentjan Selmani kthehet në protokollin zyrtar të një ndeshjeje. Portieri i Tiranës u dëmtua më 3 gusht 2023, duke thyer këmbën, ndërsa tani është gati për të luajtur nga minuta e parë. Në stol rikthehej te bardheblutë edhe mesfushori i ri, Ermal Meta, i cili ka probleme me meniskun, por që është munduar ta rikuperojë me ushtrime dhe vrapime këtë periudhë.

* Numër i lartë tifozësh të huaj që ndjekin ndeshjen në “Air Albania”. Shumica nordikë, por edhe italianë e anglezë. * Portieri kosovar, Mustafë Abdullahu, kthehej titullar që pas derbit të fundit që Tirana u mund nga Partizani. Leon Kozi mungonte për kartonë.

* Portieri i Kukësit, Angelos Tafas, tregon teknikë në fushë, teksa stopon me finte një top të gjatë të ardhur nga mbrojtja e Tiranës. * Trajneri i Kukësit, Bledar Devolli, nuk është dakord me vendimin e gjyqtarit Ferataj në minutën e tretë të shtesë së parë. Ndërsa në momentin që arbitri po shikonte sistemin VAR për penalltinë që nuk u dha për Kukësin, gjirokastriti u pa të sinjalizonte portierin Tafas, se nëse do të akordohej, të godiste ai nga pika e bardhë.

* Në minutën e 59-të, Kukësi ankohet se Tirana nuk po zbaton “fair-play”-in, pasi mbrojtësi Lamçja ishte i dëmtuar në fushë.

* Në sektorin e tifozëve të Kukësit kishte vetëm 30 vetë.

* Në minutën e 64-t të ndeshjes, Gledi Mici pati marrje mendsh. Ndalet loja dhe stafi mjekësor menjëherë në fushë, pasi lojtari nuk ndihet mirë. Mjeku i Tiranës këshillon që të bëhet ndërrim dhe kështu ndodh. Në fund u mësua se lojtari ka qenë për pesë minuta i turbullt.

* Ndeshja mes Tiranës dhe Kukësit ka qenë e ngarkuar emocionalisht për të dyja skuadrat. Momenti i golit të Abazajt ka sjellë shpërthim te tifozët bardheblu dhe jo vetëm. Goldi Halili, vajza e presidentit të Tiranës dhe njëkohësisht drejtoreshë e klubit, nuk ka mbajtur lotët në ato momente.

 

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"