Pejiç “skanon” kryendeshjen e javës: Kukësi më lart se Partizani, sfidën e vendos mesfusha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2018 | 16:24

Pejiç “skanon” kryendeshjen e javës: Kukësi më lart se Partizani, sfidën e vendos mesfusha

Kukësi ka vuajtur paksa për një sulmues si Pero Pejiç, i cili shënoi plot 28 gola në 35 takime vetëm në kampionatin e fundit, ku ekipi mori titullin e parë kampion në histori, paç- ka se Guri dhe Bakaj janë munduar të bëjnë mirë për ekipin e tyre.

Në një intervistë për “Panorama Sport” para supersfidës ndaj Partizanit, është pikërisht Pejiç ai që skanon këtë takim, ku thekson se në këtë ndeshje mesfusha do të bëjë diferencën. Sipas tij, ekipi që do të ketë mesfushën më në formë, do të fitojë edhe ndeshjen. Përkohësisht Kukësi është pak më mirë se Partizani dhe ka më shumë mundësi për ta fituar ndeshjen. Kroati thotë se po e ndjek nëpërmjet medias çështjen e Skënderbeut, por nuk preferon të thotë asgjë për këtë situatë.

Pejic-gol-Partizanit-470x313

Pero, a e ke ndjekur Kukësin, si ju është dukur?

E kam ndjekur Kukësin dhe gjithë Kategorinë Superiore. Këtë sezon kampionati ka qenë shumë interesant, ku shumë skuadra luftojnë për dy vende në Kupat e Europës, pasi janë shumë afër me pikë dhe çdo gjë mund të ndodhë me to. Ndaj, lufta do jetë e fortë deri në fund. Shikoj që ky sezon dhe kjo Ligë po bëhet akoma më e fortë.

Pse kjo ecuri jo e mirë e Kukësit, që ka shënuar pak dhe kanë pësuar shumë gola?

Ndoshta ngaqë ka ndërruar disa trajner. Sa i përket teknikut të ri, punën e tij do e shohim në fund të sezonit, jo tani. Më vonë do shohim si do shkojë puna. Pa dyshim që nëse flasim që nga fillimi i sezonit, unë e kam thënë dhe më parë për ju se largimet e disa futbollistëve bazë kanë ndikuar shumë.

Si e shikoni ndeshjen e sotme Partizani-Kukësi?

Kukësi-Partizani dhe e kundërta janë ndeshje derbi, kështu që asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt për rezultatin. Unë them se në këto momente Kukësi është pak më mirë se Partizani dhe ata nëse besojnë te vetja dhe te fuqia e tyre do ta fitojnë ndeshjen, në të kundërt çdo gjë është e vështirë. Gjithsesi, është ndeshje shumë interesante dhe mbetet që ta shohim në fushë si do shkojë.

Pejic

Kush mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë takim?

Janë të dyja ekipe që kanë në përbërje elementë shumë cilësorë, lojtarë të cilët kanë eksperiencë dhe të rinj të talentuar. Në këtë ndeshje unë mendoj që mesfusha do e bëjë diferencën. Ekipi që do të ketë rendimentin e duhur në mesfushë, do ta fitojë ndeshjen.

A e keni ndjekur çështjen “Skënderbeu”, ku edhe ju keni qenë pjesë e këtij klubi dhe si ju duken akuzat e UEFA-s?

Po, e kam parë në gazeta çështjen e Skënderbeut, por nuk kam asgjë për të thënë për këtë rast. Si po shkoni me ekipin tuaj në Kroaci? Vazhdoj të punoj fort për të dhënë më të mirën për ekipin tim.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"