Pejiç është heroi, Kukësi fundos fierakët. Artim Shaqiri: Ne fitojmë edhe me 10 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2014 | 23:30

Pejiç është heroi, Kukësi fundos fierakët. Artim Shaqiri: Ne fitojmë edhe me 10 lojtarë

Pejic shenonAPOLONIA-KUKËSI 0-1
GOLI: Pejiç 45′
APOLONIA: Cakoviç, Nako (Erkoçeviç 70′), Xhafa, Atanda, An.Prifti, Naçi (Fili 57′), Xhorxheviç (D.Dosti 46′), Gërxho, Karakaçi, Canka, Rajkoviç. (në dispozicion: Miço, Broshka, Tomson, Kaja). Trajner: Elidon Demiraj
KUKËSI: Halilaj, Smajli (Brahja 17′), Dushku, Malota, Hallaçi, Lushtaku, Musolli, Allmuça, Hysa (Hoxha 75′), Periç (Zeqiri 42′), Pejiç. (në dispozicion: Bejte, Gvozdenoviç, Shameti, Al.Dosti). Trajner: Artim Shaqiri
KARTONË TË VERDHË: Xhorxheviç 11′, Atanda 68′, Gërxho 79′, Fili 80′, Rajkoviç 84’/ Lushtaku 23′, 55′ (2)
KARTON I KUQ: Lushtaku 55′
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
VËZHGUES: Astrit Dervishi (Shkodër)
GJYQTARET: Gjyqtarë: K.Meta, E.Barushi, D.Agaraj (Tiranë)

MINUTAT
8′ Goditje dënimi për Apoloninë, Gërxho gjuan nga rreth 25 metra, por topi nuk i bindet dhe përfundon jashtë.
42′ Mesfushori i Kukësit, Allmuça, kroson në zonë nga një pozicion diagonal dhe aty mbrojtësi Malota, i ardhur në ndihmë të sulmit, kërcen bukur me kokë, teksa topi kalon ngjitur me shtyllën.
45′ Zeqiri, i sapofutur në fushë, i rrëmben topin Cankës dhe jep një asist perfekt për Pejiçin, duke e nxjerrë këtë të fundit të vetëm me portierin. Sulmuesi kroat nuk fal përballë Cakoviç, duke gjuajtur tokazi dhe shënuar, 0-1 për Kukësin.
57′ Kundërsulm i Kukësit me protagonist Zeqirin, i cili pason për Pejiçin në krahun e majtë, por sulmuesi shpërdoron, duke goditur jashtë nga një pozicion i mirë shënimi.
65′ “Predhë” e Gërxhos nga jashtë zone, por Halili grushton topin. 70′ Është sërish Gërxho, që këtë herë gjuan mjeshtërisht pas shërbimit të Rajkoviç, por portieri Halili bën mrekullinë, duke grushtuar topin.
73′ Erkoçeviç tenton nga distanca, pret portieri i Kukësit. 82′ Atanda kroson në zonë, aty ku Canka kërcen bukur me kokë, por topi kalon mbi traun e portës.
86′ Kukësi del shpejt në kundërsulm, teksa Musolli nxjerr të lirë Pejiçin, por ky i fundit i vetëm me Cakoviç, shpërdoron.
89′ Rajkoviç godet fluturimthi nga jashtë zone, topi kalon ngjitur me shtyllën.
90′ Erkoçeviç gjuan fort me të majtën, pret Halilaj në dy kohë.

Kukësi gjunjëzon Apoloninë në “Loni Papuçiu”, falë një goli të sulmuesit kroat, Pero Pejiç. Veriorët i janë kthyer triumfit në kampionat pas tri javësh, në një kohë që bardhejeshilët kanë pësuar dje humbjen e parë në shtëpi, duke konfirmuar krizën e rezultateve. Ka qenë një ndeshje e ekuilibruar, por që në fund kanë bërë diferencën kualitetet e Kukësit. Pas një pjese të parë të mërzitshme, ku Kukësit i mjaftoi një aksion spektakolar me protagonist Zeqirin dhe Pejiçin, në 45 minutat e dyta fierakët ishin më kërkues, por pa gjetur dot rrugën e rrjetës. Për 35 minuta miqtë luajtën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të mesfushorit Kushtrim Lushtaku. Dy ndërhyrje të parregullta, nga një në secilën pjesë, i kushtuan shtrenjtë kosovarit. Goditjet e mesfushorit Julian Gërxho nuk mjaftuan për Apoloninë, që edhe këtë herë stonoi në sulm. Canka dhe Rajkoviç u mbuluan mjaft mirë nga mbrojtësit e Kukësit, në një kohë që në një ditë të errët kanë qenë dje lojtarët e krahut të skuadrës fierake. Në çdo kundërsulm, veçanërisht gjatë pjesës së dytë, Apolonia rrezikoi të pësonte, nisur edhe nga lënia e hapësirave në mbrojtje.
Pjesa e parë Kukësi e nis lojën me surpriza në formacion. Trajneri Shaqiri i kishte besuar një fanellë titullari mesfushorit Allmuça, duke lënë në stol vlonjatin Zeqiri. Në sulmin e veriorëve luanin shtatlartët Periç-Pejiç, ndërsa varianti taktik ishte 4-42. Edhe tek Apolonia kishte ndryshime në formacion, teksa kishin zënë vend An.Prifti e Naçi nga minuta e parë. Loja është e ekuilibruar dhe me dy skuadra që mundohet të studiojnë njëra-tjetrën. Për shumë minuta mungojnë rastet për shënim, teksa ekipet janë tepër të kujdesshme në mbrojtje. Kukësi detyrohet të bëjë zëvendësimin e parë, teksa del Smajli i dëmtuar dhe në fushë futet Brahja. Loja ndryshon si me telekomandë në momentin kur Shaqiri largon Periçin dhe aktivizon Zeqirin. Është ky i fundit, që pasi i rrëmben një top Cankës, jep një asist për Pejiçin dhe gjen të papërgatitur mbrojtjen fierake. Sulmuesi kroat shënon i vetëm me Cakoviç, duke çuar skuadrën në dhomat e zhveshjes me fitoren minimale, 0-1.
Pjesa e dytë Apolonia e rinis takimin me një zëvendësim në mesfushë, teksa Demiraj nxjerr Xhorxheviçin dhe aktivizon Dostin. Fierakët janë më kërkues në lojën e tyre dhe që në startin e 45 minutave të dyta kanë një shans të artë për të barazuar me Cankën, por sulmuesi lushnjar vonohet përballë portierit Halili. Kukësi mundohet të qarkullojë topin dhe të dalë shpejt me kundërsulm, duke shfrytëzuar Vilfor Hysën. Pejiç ka një rast të artë për të shënuar, por nuk ia del. Pas minutës së 60- të kemi një dialogim të gjatë të mesfushorit Gërxho dhe portierit Halili. Ky i fundit eviton gola të sigurt pas goditjeve të fierakut nga jashtë zone. Apolonia merr zemër, edhe për faktin se ka epërsi numerike, pasi Kukësi është i detyruar të luajë me një lojtar më pak si pasojë e daljes me të kuq të Lushtakut. Rajkoviç dhe i aktivizuari në pjesën e dytë, Erkoçeviç, tentojnë me goditje nga jashtë zone, por më kot, pasi porta e Halilit nuk preket. As tre minutat shtesë nuk sjellin ndryshime dhe Kukësi merr tri pikë të arta.

MË I MIRI
Te Kukësi diferencën e bëri goli i sulmuesit Pero Pejiç, por lojtarët më të mirë në fushë ishin Besar Musolli dhe Hair Zeqiri. Mesfushori kosovar ka qenë i kudondodhur në takimin e djeshëm, ndërsa vlonjati, edhe pse u fut si zëvendësues, tregoi se ka kualitet të madh. Aktivizimi i tij ndryshoi ndeshjen për Kukësin, teksa menjëherë Zeqiri u bë protagonist me asistin për Pejiçin. Një paraqitje të shkëlqyer bëri edhe mbrojtësi Renato Malota.

MË PAK AKTIVI
Ishin të shumtë lojtarët jashtë forme tek Apolonia. Së pari stonoi në mesfushë serbi Xhorxheviç, i cili u zëvendësua menjëherë në pjesën e dytë. Një paraqitje larg pritshmërisë bënë edhe mbrojtësit e krahut, Nako e An.Prifti. Gjithashtu, një formë jo të mirë shfaqi edhe sulmuesi Canka. Në golin e Pejiçit vlen për t’u përmendur rreshtimi jo i mirë i mbrojtjes, veçanërisht i lojtarëve të krahut. Te Kukësi zhgënjeu vetëm serbi Ivan Periç.

Demiraj: Mbaj përgjegjësi për humbjen
Trajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj, pas ndeshjes së djeshme deklaroi: “Nuk jam aspak i kënaqur nga ekipi. Përgjegjësia për këtë humbje në radhë të parë bie mbi mua si trajner. Gabimet unë i shikoj së pari te vetja ime, pastaj te lojtarët. Takimi u vendos nga një episod, ku mbrojtja jonë gaboi dhe u dha mundësi lojtarëve të Kukësit që të shënonin. Pavarësisht golit, skuadra jonë reagoi në pjesën e dytë. Krijuam epërsi, duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare, por nuk arritëm dot te goli. Për sa i përket sulmit, mund të them që ky është kualiteti ynë. Ajo që mund të bëjë trajneri është që ta çojë ekipin deri në sulm, pastaj janë aftësitë individuale të gjithsecilit lojtar të këtij reparti që t’i shfrytëzojë sa më mirë. Raste kemi krijuar, por nuk i kemi shfrytëzuar. Nuk e kemi atë kualitet që ka Kukësi”.

Pejiç: Goli shkon për presidentin
Sulmuesi Pero Pejiç ka shënuar dje golin e fitores për Kukësin, teksa pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, u shpreh i entuziazmuar. “Jam i kënaqur që arrita të shënoj dhe t’i jap tri pikë skuadrës. Pas dy humbjeve na priste një ndeshje e vështirë me Apoloninë, por, falë angazhimit të plotë të të gjithë ekipit, arritëm të zhvillonim një lojë të mirë dhe të arrinim synimin tonë. U riktheva sërish te goli dhe tashmë s’dua të ndalem. Pres të shënoj gola të tjerë për të ndihmuar skuadrën. Ky gol i dedikohet presidentit Gjici dhe tifozëve të zjarrtë të Kukësit, që kishin udhëtuar për të na mbështetur në Fier”, deklaroi Pejiç.

Shaqiri: Ne fitojmë edhe me 10 lojtarë
Trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, nuk e ka fshehur kënaqësinë e rikthimit te fitorja. Në konferencën për shtyp strugani i bëri elozhe repartit mbrojtës. “Ishte një ndeshje e vështirë, pasi vinim nga dy humbje dhe ana morale e psikologjike e lojtarëve nuk ishte më e mira. Por, e rëndësishme është se ne ia arritëm qëllimit për të cilin erdhëm në Fier. Skuadra luajti me zemër, duke treguar siguri në mbrojtje. Arritëm të tregojmë që jemi një ekip që mund të fitojmë kudo, edhe pse luajtëm për më shumë se 35 minuta me një lojtar më pak. Fillimisht e filluam lojën me dy sulmues të deklaruar, në mënyrë që ta rrezikonim portën dhe të shënonim shpejt, duke punuar nga krahët dhe me krosime në qendër. Por, kjo nuk na eci, ndaj na u desh që të bënim atë rokadë dhe të zëvendësonim Periçin me Zeqirin. Kjo solli dhe golin në minutën e fundit të pjesës së parë”, është shprehur trajneri i Kukësit.
MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"