Osmani: Ringrihemi, nuk do ndeshemi me Barcelonën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2016 | 22:36

Osmani: Ringrihemi, nuk do ndeshemi me Barcelonën!

Humbja kundër Tiranës po kalohet qetësisht në Korçë. Të gjithë janë të bindur se ekipi do të ringrihet në ndeshjen e radhës. I këtij mendimi është edhe Tefik Osmani, i cili, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, shfaqet i sigurt për kthesën, por edhe për marrjen e një tjetër trofeu në fund të sezonit, ashtu si në 6 vitet e fundit. Mbrojtësi nuk e bën “dramë” humbjen në kryeqytet, ndërsa e pranon që skuadra nuk dha maksimumin.

Nuk pranon kurrsesi ta quajë “malore” e radhës e Skënderbeut, ndërsa kujton se nuk do të ndeshen me Barcelonën. Madje, ai thekson se e vështirë do të jetë për kundërshtarët, të cilët, para se të ndeshen me ta, i zë edhe frika.

osmani maske

Osmani, le ta nisim nga humbja me Tiranën. Çfarë nuk shkoi në atë takim?

Mund të them që nuk dhamë maksimumin tonë në fushë, ashtu sikundër mendoj se edhe mungesa e Lilajt ndikoi së tepërmi. Ai është një ndër lojtarët kryesorë të Skënderbeut. Si Sabjeni dhe Orelesi kanë qenë titullarë stabël të formacionit në 6 javët e para dhe mungesa e Lilajt e detyroi trajnerin të bënte një tjetër zgjidhje, pasi bëheshin pesë të huaj. Plus kësaj, mund të them që në ndeshjen kundër Tiranës nuk ishim në një ditë të mirë.

Ju afruat shumë golit në fund. Ju vjen keq që topi nuk përfundoi në rrjetë?

Normale që po, por kur arrin të marrësh një rezultat pozitiv, nuk ka vlerë që të flasim për raste të humbura. Megjithatë, ishte merita e portierit Lika që më hoqi të drejtën e atij goli.

Pas asaj humbjeje, si është atmosfera në kampin korçar?

Kjo është gjëja pozitive në klubin tonë. Pas një humbje, nëse në çdo ekip tjetër zhvillohen analiza, vendosen gjoba, ka dhe përjashtime e shumë gjëra të tjera që në futbollin shqiptar ndodhin akoma, te ne ndodh e kundërta.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Mërzitja ndihet normalisht, pasi nuk mund të jemi të gë- zuar pas një humbjeje. Por, kryesorja është që ne merremi me gabimet tona. Detyra jonë e vetme është që të përmirësohemi në ndeshjen e radhës. Kjo është historia. Ka qetësi dhe kjo na shërben për të ecur përpara.

Osmani vs Tirana

Pas gjashtë fitoresh, Skënderbeu shënon humbjen e parë në ndeshjen e parë të fortë të sezonit. Shumë zhurmë është bërë se kjo ndeshje tregoi vërtet forcën e Skënderbeut. Cili është komenti juaj?

Nuk po e them këtë se jam pjesë e Skënderbeut, por ky ekip ka gjashtë vite që shpallet kampion dhe që prodhon lajm. Të gjithë do të merren me ekipin më të mirë dhe kjo është e kuptueshme. Dhe të gjithë e dinë, pavarësisht se duan apo nuk duan ta pranojnë, që ne jemi më të mirët.

Kjo do të thotë se Skënderbeu di si mund të ringrihet edhe pas një humbjeje ndaj një rivali direkt?

Skënderbeu nuk e ka vitin e parë që është në një situatë të tillë. Edhe në gjashtë vitet e kaluara ka treguar se ka pasur momente të vështira, ndoshta edhe më të mëdha se kaq. Por, ju e dini tashmë, që gjithnjë ka treguar se di të ringrihet, madje duke ngritur edhe kupën e kampionit në fund.

Sikundër thonë shumë, ato gjashtë fitore kanë ardhur për shkak të kalendarit dhe faktit që keni luajtur vetëm në shtëpi…

Jo, unë mendoj se ato gjashtë fitore kanë qenë puna e të gjithëve, duke filluar nga presidenti deri te punëtori i fushës. Dihet tashmë që në Korçë nuk prodhohet ndonjë dhunë apo nuk e di të ketë pasur presion arbitri. Prandaj nuk e di pse janë këto mendime që ne e kemi pasur në favor kalendarin se jemi ndeshur në shtëpi. Madje, është e thjeshtë për t’u verifikuar: ekipet që ne i kemi mposhtur, u kanë marrë pikë rivalëve. Ky është një fakt apo jo…?

Skenderbeu stervitje

Tashmë vjen Kukësi. Është ky testi i duhur për të treguar sa vleni?

Normale, Kukësi është ekipi i fortë dhe ne e respektojmë në maksimum. Por, edhe sikur të mos vinte Kukësi, por një ekip tjetër, ne e kemi “zakon” tashmë që në fushë hyjmë vetëm për tri pikë. Nuk e di se ku e keni parë ndonjëherë Skënderbeun të hyjë në fushë dhe të mblidhet te zona e 16-shit, sikundër mblidhen ekipet e tjera kur luajnë përballë nesh.

A mund ta quajmë fundin e fazës së parë si një malore për Skënderbeun?

Personalisht kjo fjalë nuk më pëlqen aspak, sepse kur thonë “malore” për Skënderbeun, pa ofenduar ekipet e tjera, i bie që Tirana e ka pasur “fushore” me ne, apo Kukësi me Partizanin. “Malore” është edhe për këto ekipet e tjera. Tirana në këtë takim e meritoi fitoren dhe e kaloi një pengesë ndaj nesh. Tani të shohim këto ndeshjet e tjera se kush do ta ketë “malore”, Skënderbeu apo këto ekipet e tjera.

Sepse po shoh që të gjithë po na vihen kundër. Prandaj thashë, “pemës me kokrra” i gjuajnë të gjithë. Po t’i shikosh të gjithë, flasin se Skënderbeu e ka kalendar “ferri”, a thua ti se ne po luajmë kundër Barcelonës?! Këto ekipet e tjera nuk e paskan “malore”? Po t’i pyesësh ato në vetvete janë të frikësuar që luajnë kundër nesh. Për këtë të jeni të sigurt.

Osmani me maske

Katër pikë ka shkuar diferenca pas javës së shtatë…

Kampionati është shumë i gjatë. E kemi thënë edhe kur kemi qenë shtatë pikë të shkëputur, edhe tani e themi sërish, kur jemi katër. Kampionati është shumë i gjatë dhe prandaj më pëlqen diçka. Ekipi i Skënderbeut, pra ne, e kemi deklaruar që në fillim që jemi pretendentë kryesorë për titullin kampion. Kemi caktuar objektivin tonë që në fillim. Po t’i shikosh të tjerët, nuk e deklaron njeri, por thonë “ne do të përpiqemi”. Kjo është diferenca mes Skënderbeut dhe ekipeve të tjera. Është e qartë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"