Osipenco: Skënderbeu për t’u marrë shembull, synojmë përmbysjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 17:05

Osipenco: Skënderbeu për t’u marrë shembull, synojmë përmbysjen

Iurie OsipencoNë konferencën për shtyp përpara ndeshjes së sotme, trajneri i Milsamit, Iurie Osipenco, theksoi se skuadra që drejton do të luajë vetëm për të fituar dhe për t’u kualifikuar.

Edhe pse e sheh shumë të vështirë arritjen e një rezultati fitues me tre gola diferencë, është optimist dhe beson se, me pak fat, skuadra e tij mund t’ia dalë. Tekniku moldav thotë fjalët më të mira për skuadrën korçare dhe pohon se mund t’i marrin shembull, duke parë arritjet që kanë bërë në kampionatin shqiptar, teksa edhe kanë fituar pesë tituj radhazi në Shqipëri. Mister, vini në këtë ndeshje pas një humbjeje 2-0.

Si e shihni takimin e nesërm (sot)?

Nuk e harrojmë se vijmë pas një rezultati negativ, sepse 2-0 në disavantazh në fushën tënde është paksa e vështirë për ta kthyer. Por, ne nuk kemi se çfarë të humbasim dhe do të tentojmë kualifikimin.

Besoni vërtet se mund t’ia dilni?

Unë e thashë që nuk jemi të avantazhuar pas rezultatit të parë, por sigurisht që vijmë për t’u kualifikuar. Më duhet ta pranoj se shanset më të mëdha i ka Skënderbeu, por edhe ne kemi mundësitë tona. Siç shënuan ata dy gola në fushën tonë, të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe ne. Asgjë nuk është e pamundur, për më tepër në futboll.

Në ndeshjen e parë e merituat humbjen apo e pësuat për shkak të gabimeve tuaja?

Po t’i kthehemi pas asaj ndeshjeje, mund të them se ne u ndëshkuam nga dy gola që u pësuan për fajin tonë. Nëse do të ishim treguar më të kujdesshëm, do t’i kishim shmangur, por ajo iku tashmë.

Jeni përgatitur për 11-metërsha në këtë ndeshje?

Jo, nuk jemi përgatitur për shtesa dhe 11-metërsha, pasi mendoj se loja do të mbyllet brenda 90 minutave. Shpresoj që në fund të kalojmë ne.

A mendoni se duhet të merrni pak shembull nga Skënderbeu dhe Shqipëria për arritjet që po bëjnë në Europë?

Në fakt është e vërtetë që kanë arritur shumë, sepse Skënderbeu është pesë herë radhazi kampion në Shqipëri dhe po bën shumë mirë edhe në Europë. Nga ana tjetër, edhe Shqipëria është një ekip që ka pësuar shumë rritje. Janë për t’u marrë shembull, ashtu siç mund të marrim shembull edhe ndaj skuadrave të tjera që po bëjnë mirë këto kohët e fundit.

Përgatiti: Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"