Olainka do rikthehet, Takaj: Është penduar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2015 | 12:05

Olainka do rikthehet, Takaj: Është penduar

olainkaPeter Olainka duket se është penduar shumë shpejt për largimin e papritur nga Skënderbeu dhe ka vendosur që të rikthehet. Sulmuesi nigerian që vijon të jetë në kontratë me bardhekuqtë deri në gusht të vitit 2017, ka telefonuar drejtuesit dhe u ka kërkuar falje për veprimin e nxituar. Burime tejet të sigurta për gazetën kanë zbuluar këtë fakt dhe pritet që të hënën ai të zbarkojë në Korçë, duke u vënë sërish nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa. Lojtari ditën e premte ka kontaktuar konkretisht presidentin Takaj, duke i kërkuar falje dhe njëherësh lejen që të rikthehej në ekip.

Ecuria e Skënderbeut në Champions League ka bërë që lojtari të reflektojë dhe të harrojë çështjen e babait (i cili kohë më parë e ndali, të paktën kjo ishte deklarata e asaj kohe e Olainka, duke argumentuar “divorcin”). Dihet dobësia që ka kreu i klubit për nigerianin, i cili dallohet për talentin e tij, e për pasojë nuk kishte se si ta refuzonte. Pavarësisht se në klub pritet që lojtari të mbërrijë ditën e hënë për t’u bashkuar me ekipin, ajo që mbetet e paqartë lidhet me masën ndëshkimore. Pra, i mbetet në dorë presidentit që të gjobisë apo jo Olainkën për largimin e befasishëm, duke mos respektuar kontratën. Asokohe Takaj paralajmëroi se do ta ndëshkonte, por pas pendesës që ai ka shfaqur, ndoshta do të evitohet edhe penaliteti.

Konfirmimi

Ka qenë vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, që për “Panorama Sport” ka konfirmuar lajmin për rikthimin e Olainkës. Por jo vetëm, pasi numri një i klubit nuk heziton që të rrëfejë edhe një pjesë të bisedës që ka zhvilluar me sulmuesit në linjë telefonike.

“Po, është e vërtetë që kam folur me sulmuesin. Më telefonoi për të më kërkuar falje për veprimet e pamenduara që bëri kohë më parë. Por, gjithashtu, donte lejen time për t’u rikthyer te Skënderbeu. Olainka e pranoi gabimin që bëri dhe reflektoi në lidhje me të, dhe me të drejtë, pasi ndryshe nuk mund të ndodhte. Ai është nën kontratë me ne. Unë e kam pranuar faljen e tij dhe i kam hapur derën për rikthimin në Korçë, madje duke i dhënë mundësinë që të luajë edhe në ndeshjet europiane, atje ku ne po shkruajmë historinë. Nëse është gati fizikisht, atëherë le të luftojë për një vend në formacion”, deklaroi Takaj, në lidhje me bisedën që ka zhvilluar me Olainkën. Pra, zyrtarisht lojtari do të rikthehet te bardhekuqtë. Sulmuesi do të respektojë kontratën dhe nesër pritet që të vihet nën urdhrat e stafit teknik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"