Nuk pagoi kroatin, FIFA i heq tri pikë Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2014 | 9:08

Nuk pagoi kroatin, FIFA i heq tri pikë Tomorit

VrucinaNë momentin e vet më të mirë, Tomorit i zbriten tri pikë nga renditja aktuale e kampionatit. Pas fitores në Pogradec dhe ngjitjes në vendin e 3-të në klasifikim, një pikë më pak se vendi i parë, skuadrës beratase i hiqen tri pikë. Shkak është bërë vendimi i FIFA-s që detyron Federatën Shqiptare të Futbollit t’i heqë pikët Tomorit, pasi nuk ka shlyer detyrimet financiare ndaj lojtarit Jurica Vrucina që ka qenë pjesë e skuadrës dy sezone më parë.
Vendimi Nëpërmjet një faksi, FIFA i është drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, më 17 nëntor, në lidhje me çështjen në fjalë. “Ne i referohemi çështjes së sipërpërmendur dhe kemi marrë letrën tuaj të korrespondencës më datë 6 nëntor 2014 nga përfaqësuesi ligjor i futbollistit Jurica Vrucina, një kopje e së cilës është ruajtur për palë të tjera. Sipas përmbajtjes së kësaj letre, futbollisti Jurica Vrucina kërkon që skuadrës së parë të FK Tomorit, i cili merr pjesë në kampionatin vendës, t’i hiqen tri (3) pikët. Rrjedhimisht, dhe në përputhje me pikën 4 të vendimit të marrë, ne kërkojmë që federata juaj të zbatojë heqjen e tri (3) pikëve nga skuadra e parë, e cila militon në kampionatin vendës. Si një anëtare e FIFA-s, federata juaj është përgjegjëse për zbatimin e detyrimeve të Komitetit Disiplinor të FIFA-s siç paracaktohet në pikën 6 të vendimit të Komitetit Disiplinor të FIFA-s. Si pasojë, ne kërkojmë që ju të na dërgoni menjëherë provën e heqjes së pikëve, dhe në veçanti renditjen që tregon se tri (3) pikët i janë hequr klubit të FK Tomorit nga kampionati vendës. Ne ju kujtojmë se nëse federata juaj nuk e përmbush këtë kërkesë, atëherë Komiteti Disiplinor i FIFA-s mund të marrë sanksionin e nevojshëm kundër Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili mund të sjellë përjashtimin nga të gjitha kompeticionet e FIFA-s”, shkruhet në letrën e FIFA-s. Në merkaton e verës së 2012-s, sulmuesi kroat iu bashkua Tomorit. Atij i ofrohet kontratë nga klubi dhe e firmos. Por, historia e tij te Tomori nuk do të zgjasë shumë pasi do të dëmtohet rëndë duke thyer ligamentin kroçial. Ai luajti vetëm katër ndeshje dhe më pas u largua drejt Kroacisë. Papërgjegjshmëria e drejtuesve të atëhershëm të klubit ka bërë që ekipit tashmë t’i hiqen tri pikë.
BOJKEN DALIPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"