“Nuk kam duel me Memellin”, Gvozdenoviç: Vllaznia e fortë, por fiton Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2023 | 9:10

“Nuk kam duel me Memellin”, Gvozdenoviç: Vllaznia e fortë, por fiton Skënderbeu

Skënderbeu dhe Vllaznia sfidojnë njëra-tjetrën këtë të shtunë në orën 17:00 në stadiumin Skënderbeu të Korçës. Sfida e vlefshme për javën e nëntë të kampionatit vë përballë dy ekipe me traditë në futbollin shqiptar, të cilët këtë sezon kanë plot ambicie. Korçarët vijnë pas humbjes 2-0 me Laçin dhe ndaj shkodranëve do të kërkohet reagimi, por sigurisht nuk pritet të jetë aspak e lehtë.

gvozdenovic

Kështu mendon edhe trajneri Ivan Gvozdenovic, i cili nuk i beson krizës së Vllaznisë, por shprehet se shkodranët luajnë një futboll të mirë dhe ndaj tyre nuk do të jetë aspak e lehtë. Një rikthim në Korçë edhe për Migen Memellin, i cili këtë sezon është ulur në stolin e Vllaznisë dhe sfida e nesërme do të jetë mjaft e veçantë dhe për të.

Ivan, dy javë kohë për të përgatitur Vllazninë. Është gati Skënderbeu?

Po, jemi gati dhe jemi përgatitur mirë. Për mua Vllaznia është një skuadër e fortë. Ata janë të fortë fizikisht, luajnë mirë në ajër dhe dalin mirë në sulm. Kështu që duhet të bëjmë shumë kujdes për sa i përket këtij takimi. Nga skuadra dua përqendrim dhe agresivitet duke bërë presion lart.

I prish planet dëmtimi i Pecanit?

Të them të drejtën ishim të plotë deri diku, por dëmtimi na prish pak punë. Fatmirësisht, nuk është një problem i madh, lojtari ka pësuar tërheqje muskulore me Kombëtaren Shpresa dhe nuk do të jetë për këtë takim. Pjesa tjetër e ekipit është e gjitha e plotë dhe e gatshme për takimin e së shtunës. Do të shpresojmë që të bëjmë zgjedhjet e duhura. Nikaj në anën tjetër është pak i lodhur, pasi luajti të martën. Do të rikuperojë, është 20-vjeçar dhe kam besim se do të jetë i gatshëm.

Mendoni se është koha për reagim pas humbjes me Laçin?

Normalisht që pas një ndeshjeje të humbur, reagimi është ai që pret çdo ekip. Sigurisht që kemi lënë pas atë ndeshje ndaj Laçit dhe kemi nevojë t’u rikthehemi rezultateve pozitive. Do të shohim se si do të ecë takimi i kësaj jave, pasi e kemi përgatitur mirë dhe mendoj që do të bëjmë një ndeshje të mirë.

Përballë keni një Vllazni në krizë. A do të ndikojë kjo te ndeshja?

Vllaznia ndoshta është në krizë pikësh, por në lojë është një ekip që të imponon respekt. Ata janë ekip i fortë dhe i mirë. Por ne shohim vetëm situatën tonë. Kemi respekt për ta, por do të mundohemi që të marrim më shumë për veten tonë dhe të jemi ne ata që do të dalin me pikët e plota në këtë takim.

Në Korçë vjen Memelli. Gati për t’i treguar Skënderbeun tuaj?

Shikoni, është ndeshja Skënderbeu kundër Vllaznisë, jo ndeshja e Memellit kundër Ivanit. Është një ndeshje radhe si për ne, edhe për ata. Do të mundohemi të japim më të mirën e mundshme dhe të finalizojmë me një fitore këtë fazë të parë.

12 pikë në 8 javë, mendoni se jeni në situatën e duhur?

Nuk jemi shumë mirë, pasi do të duhet të kishim edhe tri pikë të tjera, ato të ndeshjes me Kukësin, por duke parë kalendarin e vështirë dhe fitoret e arritura në transfertë mund të them se jemi në rrugën e duhur. Tashmë le ta mbyllim fazën me një fitore për të ruajtur ecurinë pozitive në total.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"