Një tjetër lojtar largohet nga Laçi, kurbinasit “peshkojnë” dy të rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2023 | 10:30

Një tjetër lojtar largohet nga Laçi, kurbinasit “peshkojnë” dy të rinj

Albi Alla është largimi më i fundit nga Laçi. Ashtu siç kishte paralajmëruar prej ditësh “Panorama Sport”, mbrojtësi me origjinë nga Pogradeci nuk ka gjetur marrëveshjen me drejtuesit e klubit për të vazhduar kontratën edhe në sezonin 2023-2024.

Foto: P. Pashollari

Foto: P. Pashollari

Në kampionatin e fundit, Alla ka qenë shumë i pafat, pasi dëmtimet e shpeshta e kanë kushtëzuar për të ndihmuar ekipin gjatë gjithë sezonit. Ai u aktivizua në vetëm 15 ndeshje me fanellën bardhezi në Superiore, me 876 minuta në total.

Mbrojtësi 30-vjeçar iu bashkua Laçit në verën e vitit të kaluar pas eksperiencës në Kinë me disa skuadra. Tashmë ai është një futbollist i lirë në treg dhe gjasat janë që të vijojë karrierën në një tjetër skuadër të Superiores.

Deri më tani nga Laçi janë larguar titullarë si Gentian Selmani, Marko Roganoviç, Rudolf Turkaj, Viktor Velkoski, Majkëll Babatunde, Mentor Mazrekaj, Vasil Shkurtaj, Renato Ziko dhe Albi Alla.

Reparti më i prekur është ai i mbrojtjes, nga ku nuk ka mbetur asnjë futbollist, përveç të rinjve Arlind Kurti dhe Endrit Marku. Sa i përket merkato në hyrje, drejtuesit kurbinasi kanë prezantuar deri më tani vetëm sulmuesin anglez, Ronald Sobovale, i cili vjen pas një sezoni fantastik me Malishevën në Kosovë.

TË RINJTË – Laçi është shquar në dekadën e fundit si një klub që u jep dorën të rinjve dhe pasi i afirmon në Superiore, më pas përfiton për t’i shitur në klube jashtë Shqipërisë.

“Panorama Sport” mëson se politika e drejtuesve për këtë sezon do të fokusohet edhe më shumë te të rinjtë. Gazeta zbulon se lojtarët e radhës që pritet të veshin fanellën bardhezi janë dy 19- vjeçarë që vijnë nga Internacionali, pikërisht sulmuesi Emanuil Guci dhe mesfushori Armando Hasa. Të dy pritet të nisin stërvitjen me kurbinasit dhe të firmosin kontrata për herë të parë si profesionistë. Në sezonin e fundit një prej të rinjve që shkëlqeu ishte mesfushori Stiven Bibo, që në 7 ndeshje shënoi dy gola. Te Laçi duan t’i japin besim tashmë edhe dyshes Guci-Hasa, që kanë luajtur me të rinjtë e Internacionalit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"